Në kuadrin e një turi të ngjeshur vizitash në vendet evropiane, Presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky u ndal sot në Britani, ku mori premtime për furnizimin me qindra raketa të tjera dhe dronë luftarakë, në përpjekje për të ndryshuar drejtimin e luftës. Ukraina po përgatit një ofensivë të gjerë ndaj forcave ruse, por Presidenti Zelensky nuk pranoi të japë hollësi të planifikimit të operacioneve ushtarake.
Your browser doesn’t support HTML5
Presidenti Zelensky falenderoi Kryeministrin Rishi Sunak për mbështetjen e Britanisë, e cila është bërë vendi i parë, që po dërgon në Ukrainë raketa me rreze veprimi mbi 250 kilometra.
“Falenderime për ju dhe qeverinë tuaj për mbështetjen në këtë moment sfidash, moment i cili për shoqërinë tonë, popullin tonë, në veçanti për ushtarët tanë, është i vështirë. Por sidoqoftë na duhet suksesi. Jam shumë i lumtur që kështu po përgatisim hapat shumë të rëndësishëm të kundërofensivës”, tha Presidenti Zelensky.
Sidoqoftë, kur u pyet nga gazetarët për operacionet ushtarake që po planifikohen, zoti Zelensky nuk pranoi të hyjë në detaje.
“Na duhet vërtet më shumë kohë... Nuk kemi sekrete nga miqtë tanë, por kemi ca sekrete nga ‘fqinjët’ tanë”, tha zoti Zelensky.
Britania radhitet ndër aleatët kryesorë ushtarakë të Ukrainës, duke e furnizuar atë me raketa me rreze mbi 250 kilometra, me tanke Challenger, si dhe duke stërvitur 15 mijë ushtarakë ukrainas në territorin britanik. Zyra e kryeministrit britanik njoftoi se zoti Sunak do t’u kërkojë vendeve aleate që të ofrojnë më shumë mbështetje për Ukrainën, gjatë takimit të G7-ës që do të mbahet këtë javë në Japoni.
Një ditë më parë, Presidenti Zelensky mori mbështetjen e kancelarit të Gjermanisë, vend i cili njoftoi paraprakisht një paketë të re ndihmash prej 2.97 miliardë dollarësh për Ukrainën.
Lexoni edhe këtë Zelenskyy: Nuk do të sulmojmë territorin rus, duam të çlirojmë vendin tonë“Koha për të vepruar është tani. Të gjithë dëshirojmë që kjo luftë të marrë fund, por të marrë fund me një paqe të drejtë. Ukraina dhe e gjithë Evropa duhet të jenë të lirë... Tani është koha për të përcaktuar fundin e kësaj lufte, këtë vit. Këtë vit mundemi ta bëjmë të pakthyeshme humbjen e agresorit”, tha zoti Zelensky në Berlin.
Kancelari gjerman vuri në dukje se Ukraina është e gatshme për paqe, por se kërkon që kjo të mos ndodhë me një ngrirje të konfliktit dhe që Rusia të mos diktojë kushtet për paqen.
Ukraina pritet që të fillojë një kundërofensivë të gjerë në javët në vazhdim, duke u përpjekur kështu të rimarrë pjesë të territorit të saj në lindje dhe jug nga forcat ruse që filluan sulmin në shkurtin e vitit të kaluar.