Turqi, mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare

  • Dorian Jones

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan përballet sot me sfidën e tij më të madhe zgjedhore ndërsa Turqia ende po rimëkëmbet nga tërmetet vdekjeprurëse, kriza ekonomike dhe një opozitë të bashkuar nën udhëheqjen e zotit Kemal Kilicdaroglut, që premton reforma demokratike. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones njofton nga Stambolli.

Luftanija më e madhe dhe më e re e Turqisë është ekspozuar përpara pallatit të sundimtarëve të vjetër osmanë të vendit.

Anija shfaqet shpesh në fushatën e Presidentit Recep Tayyip Erdogan, një simbol i fuqisë rajonale në rritje të Turqisë.

“Kur bëhet fjalë për industrinë e mbrojtjes, ekonominë, rindërtimin dhe rehabilitimin e rajonit që u godit nga tërmeti, diskursin e një politike të jashtme të fuqishme, Presidenti Erdogan po dërgon mesazhin se ai është njeriu që mund ta drejtoj vendin në një periudhë krize dhe paqëndrueshmërie ndërkombëtare’”, thotë Osman Sert, Drejtor i Kompanisë Studimore ‘Panorama TR’.

Imazhi i njeriut të fortë i Presidentit Erdogan është në kundërshtim të plotë me sfiduesin e tij kryesor Kemal Kilicdaroglun, një nëpunës civil në pension, i cili parapelqen konsensusin dhe jo konfrontimin dhe polarizimin, duke iu drejtuar shpesh kombit nga tryeza e kuzhinës përmes rrjetit social “YouTube”.

“Ajo që është e rëndësishme është vetë qëndrimi politik i zotit Kilicdaroglu. Ai, të paktën gjatë pesë viteve të fundit, po përpiqet të ndërtojë një urë midis segmenteve të ndryshme të vendit”, thotë Osman Sert Drejtor i Kompanisë Studimore ‘Panorama TR’.

Pasi hodhi votën në një qendër votimi në Stamboll, presidenti turk tha se shpreson që rezultati i zgjedhjeve të sigurojë një të ardhme të mirë për vendin.

“Shpresoj që pasi të jenë numëruar të gjitha votat, për vendin tonë, për kombin tonë, për demokracinë tonë, të kemi një të ardhme të mirë. Unë dua që të gjithë votuesit të shkojnë dhe të hedhin votën e tyre pa u shqetësuar, pasi kjo është mjaft e rëndësishme për të treguar forcën e demokracisë turke”, tha zoti Erdogan.

Zoti Kilicdaroglu ka ndërtuar një koalicion të gjerë prej gjashtë partish, përfshirë laikët, islamikët dhe ish-ministrat e zotit Erdogan, reht një platforme reformash demokratike dhe një kthim tek demokracia parlamentare.

“Të gjithëve na ka munguar shumë demokracia. Të gjithëve na ka munguar të jemi të bashkuar. Të gjithëve na mungonte përqafimi me njëri-tjetrin. Duke filluar tani, një pranverë do të vijë në këtë vend dhe do të vazhdojë gjithmonë”, tha kandidati kryesor i opozitës turke për president.

Zgjedhjet po zhvillohen pas tërmeteve vdekjeprurëse të shkurtit, ku humbën jetën mbi 50,000 turq. Reagimi i qeverisë ndaj situatës nxiti shumë kritika. Por inflacioni i lartë dhe rritja e kostos së jetesës shihet si ndër çështjet më të rëndësishme në këto zgjedhje.

“Sigurisht, ekonomia është çështja numër një. Të gjithë po e ndjejnë dhimbjen e shkaktuar nga kriza ekonomike”, thotë Sezin Oney, nga portali informativ, Politikyol.

Sundimi prej dy dekadash i zotit Erdogan krijoi një klasë të re të fuqishme konservatore të mesme, që vëzhguesit thonë i ka mbetur besnike deri më tani.

“AKP-ja ka një elektorat shumë të ngurtësuar dhe të moshuar nga i cili ka marrë vota për një kohë shumë të gjatë dhe ky elektorat është pasuruar prej kësaj”, thotë Zeynep Alemdar, me Universitetin Okan të Stambollit.

Turqit do të zgjedhin mes dy kandidatëve me karakter dhe vizion krejtësisht të ndryshëm për të ardhmen e Turqisë në një votim që parashikohet të ketë rezultatin më të ngushtë në dekada.