Në Shqipëri gjykata e Vlorës vendosi sot të lërë në fuqi arrestin me burg për Fredi Belerin, kandidatin e koalicionit opozitar “Bashkë fitojmë”, përfaqësues i Partisë Bashkimi i të Drejtave të Njeriut, ndërsa rasti vijon të ushqejë polemikat mes Athinës dhe Tiranës.
Procedurat e mëtejshme për Belerin, i cili akuzohet për shitblerje të votës, do të kalojnë në duart e Prokurorisë së Posaçme për krimin e organizuar dhe korrupsionin. Kandidati i opozitës, u arrestua mesnatën e së premtes, pasi prokuroria siç deklaroi më pas, kishte siguruar prova ndaj tij, duke qenë se një person i infiltruar rezulton të ketë dokumentuar dhënien e parave në këmbim të votave.
Lexoni edhe këtë Arrestohet kandidati i opozitës për Bashkinë e Himarës, akuza për shitblerje voteAvokati i Belerit, sikundër dhe kryetari PBDNJ-së Vangjel Dule, edhe sot folën për një vendim me prapavijë politike, ndërkohë që prej ditës së djeshme, mbi këtë çështje, janë rikthyer përplasjet mes Greqisë, e cila po ashtu është në një situatë zgjedhore, dhe Shqipërisë.
Lexoni edhe këtë Greqia reagon për arrestimin e kandidatit Fredi Beleri në Himarë, përgjigjet Tirana zyrtareEdhe vendimin e sotëm të gjykatës, ministria e Jashtme greke e cilësoi “skandaloz, nëse provat nuk janë të pakundërshtueshme”. Në deklaratën zyrtare të ministrisë së Jashtme greke shkruhet se “arrestimi i një kandidati për Kryetar Bashkie dy ditë para zgjedhjeve nuk përbën shtet ligjor. Vendimi për ndalimin e kandidatit për Kryetar Bashkie sjell një ndryshim të plotë të rregullave të barazisë në zgjedhjet bashkiake në Himarë” e cila konsiderohet prej Athinës si “qendra më e rëndësishme e pakicës kombëtare greke në Shqipëri”.
Deklarata vijon më tej me tonet paralajmëruese se “një vendim i tillë do të ndikojë edhe në marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Shqipërinë, pasi kusht i kësaj rruge europiane është respektimi i rregullave europiane dhe parimeve të shtetit të së drejtës nga vendet kandidate. Vendime si ky i sotmi që shkelin parimet e mësipërme do të thotë se në praktikë Shqipëria nuk po ndjek rrugën europiane”.
Nuk vonoi reagimi i palës shqiptare. Në një postim në Twitter, Ministrja e Jashthme Olta Xhaçka shkroi se “është thuajse e pamundur të kuptojmë se si miqtë tanë grekë, kanë të drejtë të kundërshtojnë një vendim gjykate në vendin tonë, kur provat e forta që ata kërkonin janë shumë të qarta. Fredi Beleri është kapur duke u përfshirë në aktivitet kriminal kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, theksoi zonja Xhaçka.
Ministrja e Jashtme shqiptare shtoi se “nuk e kuptojmë se si të qenurit me kombësi greke, mund ta përjashtojë atë nga ligji si shtetas i Shqipërisë. Ne u bëjmë thirrje miqve tanë grekë të përmbahen nga deklaratat që nuk respektojnë institucionet e pavarura të vendit tone”, përfundon reagimi i zonjës Xhaçka.