Ish Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe ish ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, Philip Reeker e cilëson me rëndësi strategjike memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar pak ditë më parë në Uashington mes Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë së Veriut ku vendet angazhohen për partneritet strategjik për të luftuar dezinformimin.
Në një intervistë për shërbimin në gjuhën maqedonase të Zërit të Amerikës, me gazetarin Jane Bojadzievski, zoti Reeker, thotë se memorandumi mes dy aleatëve të NATO-s, u jep atyre mundësi të bashkëpunojnë për të përballuar sfidën e manipulimit të informacionit, shmangien e kësaj dukurie në rritje dhe për të forcuar sigurinë kibernetike.
“Mendoj se është një memorandum shumë i rëndësishëm. Ju keni të drejtë, është memorandum me rëndësi strategjike. Ai përqendrohet te mbrojtja. Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara janë anëtare të NATO-s. Jemi krenar që Maqedonia e Veriut u bë anëtare e 30-të e saj. Këtë e nënvizoi edhe Sekretari Amerikan i Shtetit Blinken në takimin që pati me kryeministrin Kovaçevski. Një prej aspekteve të mbrojtjes është siguria kibernetike dhe mbrojtja nga dezinformimi. Jetojmë në epokën e teknologjisë, çka e bën shpesh herë të vështirë qasjen tek e vërteta dhe te faktet. Kjo është një çështje që NATO-ja e trajton me shumë seriozitet”, shprehet ai.
Memorandumi i nënshkuar në 9 maj mes kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski dhe të dërguarit të posaçëm dhe koordinatorit të Qendrës për Angazhimin Global të Departamentit të Shtetit James Rubin , është i pari i këtij lloji mes Shteteve të Bashkuara dhe një vendi në Ballkan.M egjithatë, zoti Reeker vë në dukje se i gjithë rajoni po përballet me sfida të njëjta, duke vënë në dukje përhapjen e lajmeve të rreme nga Rusia.
“Jemi në dijeni të përhapjes së dezinformimit nga Rusia. Për vite me radhë e kemi parë se ka ndërmarrë fushata të këtij lloji. Mendoj se ishte diçka e shkëlqyer, që i dërguari i posaçëm Rubin pati mundësi të vizitonte rajonin, përfshirë Maqedoninë e Veriut, në muajin prill. Ishte një mundësi shumë e mirë që u nënshkrua kjo marrëveshje e parë e cila do t’u krijojë dy qeverive mundësi bashkëpunimi për të përballuar sfidën e dezinformimit në këtë epokë të medias bashkëkohore”, theksoi zoti Reeker.
I pyetur nëse është i “shqetësuar mbi përpjekjet e Rusisë dhe vendeve të tjera për të përhapur dezinformimin për të minuar demokracinë dhe sigurinë kombëtare, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut, një vend i rajonit të Ballkanit ku po rritet ndikimi i Rusisë”, zoti Reeker tha se e gjithë kjo është pjesë e përpjekjeve të Rusisë për të nxitur paqëndrueshmëri në Ballkan.
“Në të vërtetë kemi parë se ky ndikim është pjesë e qasjes që ka Putini për rajonin, për të nxitur jo vetëm dezinformimin, por për të krijuar trazira, për të trazuar ujrat, sepse, siç e kemi thënë shpesh, e gjithë kjo është pjesë e përpjekjeve të Rusisë për të krijuar paqëndrueshmëri në rajon. E kemi parë këtë për vite me radhë. Të qënit vend anëtar i NATO-s do të thotë gjithashtu të bashkëpunosh për të luftuar këto aspekte”, u shpreh ai.
Lexoni edhe këtë Osmani: Agresioni rus ndaj Ukrainës dhe lufta kundër dezinformimitMes të tjerash, në intervistën për shërbimin në gjuhën maqedonase të Zërit të Amerikës, zoti Reeker rikonfirmon mbështetjen për integrimin europian të Maqedonisë së Veriut, vend i cili ka nisur procesin e bisedimeve për anëtarësim. Në korrik të vitit të shkuar, Maqedonia e Veriut së bashku me Shqipërinë u ulën në të njëjtën tryezë me vendet anëtare, në Konferencën e parë ndërqeveritare.
“Ka ende rrugë për të bërë. Shtetet e Bashkura nuk janë pjesë e Bashkimit Europian, por ne e kemi mbështetur anëtarësimin e Maqedonisë për një kohë të gjatë. Në kuadër të integrimit europian, Maqedonia e Veriut ka bërë reformat të mëdha njësoj siç bëri për anëtarësimin në NATO. Isha shumë krenar që më në fund në 2020 Maqedonia e Veriut u bë vend anëtar i NATO-s”, theksoi ish ambasadori Reeker.
*Ambasadori Philip Reeker aktualisht punon për firmën konsulente ‘Albright Stonebridge Group’, si partner dhe drejtues i projekteve për Evropën dhe Euroazinë.