Arrestohet kandidati i opozitës për Bashkinë e Himarës, akuza për shitblerje vote

Fredi Beleri, kandidati i koalicionit "Bashkë fitojmë" për Bashkinë e Himarës

Në Shqipëri, pak pas mesnatës së mbrëmshme, është arrestuar nën akuzën e blerjes së votës, kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë”, Fredi Beleri, përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, një nga forcat që përfaqëson minoritetin grek.

Beleri është ndaluar në një restorant në pronësi të tij, ndërsa ishte në shoqërinë e tre personave të tjerë. Pamjet e kamerave të lokalit tregojnë një njësi të policisë që e kanë rrethuar atë dhe personat e tjerë, dhe me shpejtësi i kanë futur në automjetet e policisë, për t’i transferuar në komisariatin e Vlorës.

Sipas dokumentit të Prokurorisë së Vlorës, arrestimi është bërë në flagrancë “në bashkëpunim me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës”.

Zoti Beleri është një figurë me dritëhije. Ai është akuzuar se ka qenë pjesë e komandos së armatosur që në vitin 1994 hyri nga territori grek dhe sulmoi postën kufitare shqiptare të Peshkëpisë, duke vrarë së paku dy ushtarakë e plagosur disa të tjerë. Akuzat ndaj tij nuk u provuan asnjëherë dhe çështja e rihapur disa herë nga drejtësia shqiptare është arkivuar për mungesë provash. Në vitin 2003 është dënuar me 3 vjet heqje lirie për veproën penale “Nxitje dhe urrejtje nacionale”.

Emri i tij, u vu në qendër të vëmendjes së fundmi, pasi kryeministri Edi Rama e sulmoi atë me një gjuhë të ashpër gjatë një takimi elektoral në Himarë, javën e shkuar e më pas dhe në dalje të tjera publike, duke deklaruar se, sipas tij, ai po bënte diversion duke synuar përçarjen e himariotëve dhe duke kërcënuar ata që nuk do të votonin pro tij. Vetë Beleri i ka hedhur poshtë akuzat e kryeministrit.

Shoqërimi i tij, dy ditë përpara votimit, solli reagime të shumta. Kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule e lidhi ngjarjen me qëndrimet e mbajtura nga kryeministri. “Pas një jave deliriumi gjuhë urrejtjeje, përçarjeje dhe stigmatizimi nga ana e kryeministrit Rama kundër kandidatit të koalicionit në Himarë zoti Beleri, me urdhër e porosi të tij, forca policore rrëmbyen në qendër të qytetit dhe shoqëruan për në komisariatin e Vlorës, zotin Bejleri dhe avokatin e tij. Është një akt i paprecedentë dhe i pashpjegueshëm”, tha zoti Dule, gjatë mëngjesit të sotëm, duke kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm.

Edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili zyrtarisht drejton koalicionin “Bashkë fitojmë” ka qenë në të njejtën linjë: “Pas sulmeve të paramenduara dhe të inskenuara të kryeministrit delinkuent, rrëmbehet pas mesnate në mënyrë mafioze Kandidati për Kryetar i Bashkisë në Himarë”, shkruajti ndër të tjera në Facebook zoti Meta.

Nuk kanë munguar dhe reagimet nga Athina, ku ministria e Jashtme udhëzoi ambasadoren greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi, të kërkonte shpjegime nga autoritetet shqiptare. Rreth orës 09:00, ajo u paraqit në Ministrinë e Jashtme ku qëndroi vetëm disa minuta pasi bisedoi me Drejtorin e Drejtorisë që mbulon marrëdhëniet me Greqinë.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama reagoi përmes një postimi në Twitter. “Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën F.Beleri me urdhër të prokurorisë, përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar”, shruajti zoti Rama duke shtuar se “beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat drejtësisë”.