Në prag të zgjedhjeve në Turqi, që mund të jenë më të rëndësishmet në historinë e viteve të fundit të vendit, aktivistët thonë se në mesin e refugjatëve po shtohet frika se mund të ketë dëbime masive të tyre. Siç njofton nga Stambolli korrespodentja e Zërit të Amerikës Heather Murdock, partitë opozitare kanë paralajmëruar dëbim të refugjatëve.
Turqia strehon rreth 4 milionë refugjatë, më shumë se çdo vend tjetër në botë, dhe pjesa më e madhe e tyre janë nga Siria.
Ndërsa votuesit përgatiten për zgjedhjet e 14 majit, që shumë po i cilësojnë si më të rëndësishmet në historinë e këtyre viteve të fundit, çështja e refugjatëve përfaqëson një çështje kryesore për shumë kandidatë politikë. Ata thonë se dëbimi i refugjatëve do të bënte të mundur zgjidhjen e shumë problemeve në vend.
“Sigurisht, zgjedhjet janë shumë të rëndësishme për shkak të premtimeve të disa partive opozitare lidhur me dëbimin e refugjatëve sirianë. Kjo përkon edhe me rritjen e gjuhës së urrejtjes ndaj tyre”, thotë Taha Elgazi, aktiviste për mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve.
Por zoti Elgazi thotë se premtimet mund të mos jenë shumë realiste. Dëbimi i një numri kaq të madh njerëzish do të shoqërohej me shumë vështirësi logjistike, por krahas kësaj, udhëheqësit politikë do të përballeshin me kundërshtinë e organizatave humanitare kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat do të përpiqeshin të bllokonin zbatimin e kësaj mase.
Megjithatë, për shkak të rrezikut të dëbimit, shumë familje refugjate po përjetojnë frikë.
“Jemi shumë të shqetësuar. Po presim të shohim cili do jetë rezultati i zgjedhjeve të së dielës, prej të cilave varet fati ynë. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë. Nuk kemi siguri. Cili do të jetë fati ynë? Nuk e dimë”, thotë Samar, refugjate siriane.
Samari kërkoi që të mos e shfaqte fytyrën dhe të mos përdorej emri i plotë i saj në këtë material televiziv, prej frikës se mund të ndëshkohej ngaqë foli në mbështejtje të refugjatëve.
Përveç 5 viteve kur e shpërngulën në një zone lufte në Siri, ku humbi edhe bashkëshortin, Samari arriti t’i mbijetonte edhe tërmetit të muajit shkurt që shkaktoi më shumë se 50,000 të vdekur në Turqi dhe Siri.
Miliona njerëz u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre, ndër ta dhe Samari.
“Eshtë e vërtetë që i mbijetuam tërmetit, por ndoshta ata që vdiqën ishin më me fat”, thotë ajo.
I cilëson me fat ata që vdiqën, sepse siç thotë, nuk u duhet të jetojnë me frikën se do detyrohen t’i kthehen sërish një jete plot të panjohura.
Nëse ajo kthehet në Siri, ka frikë se arrestohet dhe i druhet edhe dhunës atje. Ajo thotë se nuk ka para dhe pasaportë për të udhëtuar jashtë Turqisë.
Qeveria e Presidentit Recep Tayyip Erdogan mban një qëndrim disi më të butë ndaj refugjatëve, duke thënë se ata duhet të largohen nga vendi, por jo përmes dëbimeve të shpejta masive.
Kriza ekonomike në Turqi dhe menaxhimi i situatës pas tërmetit të muajt shkurt, janë në mesin e çështjeve të tjera kryesore që do të peshojnë votuesit kur t’i drejtohen kutive të votimit, këtë të diel.