OKB thirrje për kujdes urgjent shëndetësor për opozitarin e burgosur rus Alexei Navalny

Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara për Torturën, Dr. Alice Jill Edwards, i bëri thirrje Rusisë të mërkurën që t'i ofrojë kujdes mjekësor “urgjent e të përgjithshëm” udhëheqësit të opozitës ruse, Alexei Navalny, i cili po vuan një dënim me burg.

Mbështetësit e zotit Navalny thanë muajin e kaluar se ai vuante nga dhimbje të forta stomaku, duke aluduar për helmim të tij, me veprim të ngadaltë.

“Jam e shqetësuar nga gjendja e përkeqësuar e shëndetit të zotit Navalny, mungesa e dukshme e diagnozës dhe trajtimit mjekësor”, thuhej në një deklaratë të Dr. Alice Edwards, Raportuese Speciale e Kombeve të Bashkuara për torturën, trajtimin mizor, çnjerëzor ose poshtërues.

Në të kaluarën, shërbimi rus i burgjeve i ka mohuar akuzat se punonjësit e kanë keqtrajtuar zotin Navalny, duke u shprehur se kur ka qenë e nevojshme, atij i është ofruar gjithmonë trajtim mjekësor.

Në vitin 2021, zoti Navalny u kthye vullnetarisht në Rusi, nga Gjermania, ku ishte trajtuar për atë që analizat laboratorike treguan se ishte përpjekje për ta helmuar opozitarin rus, me një agjent nervor në Siberi, në vitin 2020.

“Atij duhet t’i ofrohet kujdes shëndetësor adekuat, i menjëhershëm dhe i vazhdueshëm, përfshirë kontrolle të përgjithshme mjekësore, mjekime dhe gjendja e tij shëndetësore të vëzhgohet në një spital civil”, thuhet në deklaratën e zonjës Edwards.

46-vjeçari Navalny po vuan një masë dënimi prej më shumë se 11 vitesh që rrjedh nga dy akuza të ndryshme, për mashtrim dhe përbuzje të gjykatës. Udhëheqësi opozitar rus thotë se akuzat janë sajuar për t'i mbyllur atij gojën.

Autoritetet ruse thonë se zoti Navalny dhe mbështetësit e tij janë ekstremistë që kanë për qëllim ta destabilizojnë Rusinë. Lëvizja e tij është nxjerrë jashtë ligji nga Kremlini. Ndërkohë vetë zoti Navalny po përballet me akuza të reja që mund t'i shtojnë vitet pas hekurave të qelisë. Qeveritë perëndimore dhe shumë figura publike kanë bërë thirrje për lirimin e tij.