SHBA pritet të nxjerrë rregulla të reja për vonesat dhe anulimet e fluturimeve

Biden Airlines Cancellations

Presidenti Joe Biden thotë se administrata e tij do të miratojë rregulla të reja për të zgjeruar të drejtat e pasagjerëve të linjave ajrore.

Zoti Biden tha të hënën se rregullat do të kërkojnë që linjat ajrore të kompensojnë pasagjerët dhe të mbulojnë shpenzimet për ushqimet e tyre dhe dhomat e hotelit nëse ata bllokohen për arsye që janë nën kontrollin e linjës ajrore.

“E di që shumë prej jush jeni të zemëruar me shërbimin që po merrni nga linja ajrore amerikane”, tha Presidenti Biden. “Për këtë arsye përparësia jonë kryesore ka qenë sigurimi i shërbimeve me çmime më të mira për pasagjerët e linjave ajrore”, shtoi Presidenti amerikan.

Kjo është goditja më e fundit e administratës demokrate ndaj linjave ajrore dhe vjen vetëm disa javë përpara sezonit të ngarkuar të udhëtimeve verore.

Organizata “Airlines for America”, e cila përfaqëson kompanitë më të mëdha ajrore, thotë se linjat ajrore nuk kanë asnjë nxitje për të vonuar apo anuluar fluturimet. Ajo ka fajësuar motin e keq dhe problemet me pajisjet e trafikut ajror për shumicën e vonesave.