Fillojnë argumentat e fundit në gjyqin ndaj ish-Presidentit Trump për përdhunim

Një avokate i tha jurisë të hënën se zoti Donald Trump duhet të mbahet përgjegjës për sulmin seksual ndaj një ish-gazetareje në vitin 1996, sepse edhe një ish-president nuk është mbi ligjin.

Avokatja Roberta Kaplan i bëri argumentet në seancën përmbyllëse të gjyqit, duke shfaqur përpara jurisë pamje me video nga dëshmia e zotit Trump në muajin tetor dhe një video nga viti 2005 të filmuar nga programi televiziv “Access Hollywood”, ku zoti Trump thotë se burrat e famshëm mund t’i prekin gratë në organet gjenitale pa i pyetur ato.

Argumentet përmbyllëse pritet të zgjasin gjithë ditën, ndërsa anëtarët e jurisë në Manhatan dëgjojnë argumentat përmbyllëse nga avokatët në lidhje me pretendimet e ngritura ndaj zotit Trump nga shkrimtaraja E. Jean Carroll.

Avokatja Kaplan përmendi komentin e zotit Trump se "yjeve si ai nuk u hyn gjemb në këmbë nëse sulmojnë seksualisht një grua”.

“Ky është Donald Trump-i. Kështu mendon ai. Dhe kjo është ajo që ai bën”, tha avokatja Kaplan. “Ai mendon se mund të ja dalë”.

Ajo i tha jurisë se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me thashetheme, por një rast ku juria duhet të peshojë dëshmitë e 11 dëshmitarëve, përfshirë zonjën Carroll, përballë dëshmisë me video nga zoti Trump.

“Ai nuk e mori mundimin që të paraqitej këtu personalisht”, tha avokatja Kaplan. Ajo i tha jurisë se shumë nga ato që zoti Trump tha në deponimin e tij dhe në deklarata publike “në të vërtetë mbështesin akuzat tona në çështje”.

“Në thelb, zoti Donald Trump është një dëshmitar kundër vetvetes”, tha ajo. “Ai e di se çfarë ka bërë. Ai e di se ka sulmuar seksualisht zonjën E. Jean Carroll.”

Zoti Trump, i cili nuk ka marrë pjesë në gjyq, ka këmbëngulur në deklarata publike dhe në deponimin e tij se zonja Carroll i bëri pretendimet për të rritur shitjet e një libri me kujtime të vitit 2019.

Zonja Carroll, 79 vjeçe, e cila kërkon dëmshpërblim dhe ndëshkim, dëshmoi për më shumë se dy ditë në gjyqin që po futet në javën e tretë.

Ajo tha se në pranverën e vitit 1996 zoti Trump i cili po hynte në një dyqan nga i cili ajo po dilte dhe i kërkoi asaj që ta ndihmonte atë për të blerë një dhuratë për një grua.

Zonja Carroll tha se ata përfundimisht morën shkallët lëvizëse për në katin e gjashtë të dyqanit.

Ajo tha se u fut në një dhomë zhveshjeje me zotin Trump ku flirtimet mes tyre u kthyen në dhunë, ndërsa zoti Trump e vuri atë pas murit dhe e përdhunoi. Ajo tha se e goditi atë me gjunjë pas ndodhisë disa minutashe dhe u largua nga dyqani.

Gjyqtari Lewis A. Kaplan, i cili nuk ka lidhje me avokaten Roberta Kaplan, u tha juristëve se ata do të fillonin diskutimet të martën lidhur me dy akuzat për dhunë dhe shpifje.