Ende e paqartë pse një shofer shtypi 8 persona në Teksas

Të dielën në qytetin Brownsville të Teksasit, një person përplasi me makinë një turmë njerëzish, pranë një stacioni autobusi, duke vrarë të paktën tetë persona dhe duke lënduar të paktën 10 të tjerë. Policia po vazhdon hetimet për të kuptuar nëse kjo ishte një ngjarje e qëllimshme, apo jo. Shoferi është arrestuar dhe akuzuar për vrasjen e 8 personave.

Your browser doesn’t support HTML5

Ende e paqartë pse një shofer shtypi 7 persona në Teksas

Shefi i policisë së qytetit Brownsville, Felix Sauceda tha gjatë një konference për shtyp se shoferi, i identifikuar si George Alvarez, kaloi semaforin në dritën e kuqe, humbi kontrollin e automjetit të tij dhe shtypi 18 persona.

I pyetur nga gazetarët, zoti Sauceda tha se hetuesit nuk e përjashtojnë mundësinë që ky rast është i qëllimshëm.

Togeri Martin Sandoval nga Departamenti i Policisë në qytetin Brownsville tha se viktimat po prisnin autobusin afër qendrës Ozanam, një strehimore për emigrantët.

Shumica e viktimave janë emigrantë nga Venezuela

"Tani për tani, rastin po e trajtojmë si një aksident, por nuk mund të themi se kjo nuk ishte e qëllimshme. Kjo është ajo që hetuesit po mundohen të mësojnë. Është një rast që mund të ndryshojë kahje me shpejtësi”, thotë zoti Sandoval.

Makina goditi edhe disa kalimtarë rasti, në një trotuar aty pranë.

Dëshmitarët thonë se shoferi u mundua të largohet nga vendi i ngjarjes, por, ata arritën ta kapin dhe mbajnë, derisa erdhi policia.

Ai shtoi se policia po heton nëse shoferi ishte i dehur, ose nën ndikimin e drogës.

Në makinë nuk kishte pasagjerë të tjerë.

“Urojmë që emigrantët e shtruar në spital do të shërohen, sepse familjet e tyre, që ndodhen larg, varen nga ta. Kaluam male që të emigronim. Rruga deri këtu ishte e gjatë dhe e mundimshme”, thotë një emigrant, dëshmitar i rastit.

Prej kohësh, qyteti Brownsville ka tërhequr emigrantët që vijnë në Shtetet e Bashkuara përmes Meksikës.

Ditëve të fundit qyteti kishte vëmendje të shtuar, meqenëse këtë javë, më 11 maj, pritet të hiqen kufizimet kufitare të vendosura nga qeveria amerikane për shkak të pandemisë, të cilat autoritetet i kanë përdorur për të refuzuar kërkesat për azil.

Strehimorja Ozanam është e vetmja qendër që ofron strehim dhe menaxhon emigrantët e liruar nga paraburgimi.

Në qendër mund të strehohen 250 persona, por shumica e atyre që vendosen, largohen nga aty në të njëjtën ditë.

Javëve të fundit, për shkak të shtimit të numrit të emigrantëve në pikat kufitare, qyteti shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa burimet lokale, shtetërore dhe federale koordinuan reagimin humanitar.

Ky është rasti i dytë që tronditi Teksasin gjatë fundjavës. Të shtunën, një person i armatosur, 33 vjeçar, vrau tetë persona dhe plagosi të paktën shtatë të tjerë, në një sulm me armë në një qendër tregtare.