Siria ripranohet në Lidhjen Arabe

  • VOA

Ministrat e Jashtëm të Lidhjes Arabe, që u takuan të dielën në Kajro, ranë dakord të ripranojnë Sirinë 10 vjet pas vendimit për pezullimin e anëtarësimit të këtij vendi për shkak të luftës civile.

Vendimi për të ripranuar Sirinë nuk pati mbështetje të njëzëshme, por u mor më shumicën e votave të anëtarëve të Lidhjes Arabe, gjatë një diskutimi jo publik.

Veprimi vjen vetëm disa ditë përpara takimit të nivelit të lartë të Lidhjes Arabe, që mbahet në Riad.

Zëdhënësi i Lidhjes Arabe, Jamal Rushdy tha të dielën se vendimi ishte një veprim simbolik politik, pasi për vite të tëra Siria nuk u lejua të merrte pjesë në bashkësinë arabe dhe vendet arabe dëshirojnë që Siria të jetë e përfshirë në zgjidhjen e konfliktit të saj.

Në një deklaratë të Lidhjes Arabe vihet në dukje se “zgjidhja e konfliktit në Siri është një çështje që kërkon hapa të njëpasnjëshëm. Hapi i parë ishte dhënia të drejtë Sirisë të rimerrte pjesë në takimet e Lidhjes Arabe". Po ashtu theksohet se “bashkësia mbështet integritetin territorial të Sirisë dhe tërheqjen e të gjitha forcave të huaja nga vendi”.

Khattar Abou Diab, i cili jep mësim mbi shkencat politike në universitetin e Parisit tha se ripranimi i Sirisë vjen në një moment jo të mirë, vetëm disa ditë pas vizitës në Damask të presidentit Iranian Ebrahim Raissi në të cilin Teherani dhe Damasku arritën marrëveshje afatgjata për naftën, transportin, energjinë dhe sektorë të tjerë ekonomik.

Sipas tij, vendimi shënon një fitore të plotë të regjimit sirian. Ai vë në dukje, se komuniteti ndërkombëtar ka lejuar Sirinë të rikthehet në Kombet e Bashkura, ndaj për sa kohë Damasku mund të jetë vend anëtar i OKB-së, nuk ka arsye pse të mos jetë vend anëtar i Lidhjes Arabe.

Ministrat ranë gjithashtu dakord të përkrahnin nismën e Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Sauditë për zgjidhjen e konfliktit në Sudan.