Drejtorja e USAGM ligjvënësve: lufta globale e informacionit në moment kulmor

Amanda Bennett duke dëshmuar në Kongresin amerikan

UASHINGTON – Drejtorja ekzekutive e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale (USAGM) tha të mërkurën se agjencia që ajo drejton po luan një rol jetik në rang global për t’u dhënë audiencave qasje në lajme të besueshme dhe të paanshme, duke iu kundërvënë kështu mediave të drejtuara nga regjime autoritare.

“Gjendemi në një moment kulmor”, shprehet Amanda Bennett në një dëshmi të përgatitur për nënkomisionin e Senatit për marrëdhëniet me jashtë, që mbikëqyr Departamentin e Shtetit dhe aktivitetet e tjera ndërkombëtare.

“Regjimet autoritare po përdorin influencën dashakeqe, dezinformimin, propagandën dhe manipulimin e informacionit për të ndalur rrjedhën e informacionit dhe për të sabotuar ata që kërkojnë informacion të bazuar në fakte për botën që i rrethon. Qeveritë e Republikës Popullore të Kinës, Iranit dhe Rusisë shpesh bashkëpunojnë për ta shumëfishuar influencën e tyre të keqe”, shtoi zonja Bennett.

USAGM vlerëson se 394 milionë persona përfitojnë çdo javë nga qasja në programet e saj. Agjencia financohet nga buxheti federal, mbikëqyret nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara dhe përmban brenda saj edhe dy entitete federale – Zërin e Amerikës dhe Zyrën për Transmetimet në Kubë – si dhe katër organizma jofitimprurëse: Radion Evropa e Lirë/Radio Liria, Radion Azia e Lirë, Rrjetet e Transmetimeve për Lindjen e Mesme dhe Fondin për Teknologjinë e Hapur (OTF).

Zonja Bennet tha se USAGM ishte ngritur pikërisht për këtë moment, me mbi 4 mijë media partnere në mbarë botën, duke iu kundërvënë kështu influencës së mediave shtetërore.

Sipas të dhënave të agjencisë, programet e Radios Evropa e Lirë dhe të Zërit të Amerikës në gjuhët ruse dhe ukrainase u ndoqën 8 miliardë herë që nga fillimi i sulmit të Rusisë në Ukrainë. Gjithashtu, 1 nga 4 iranianë të moshës së rritur përdorën mjete të mbështetura nga OTF-ja për të arritur qasje tek informacioni.

“Ky është momenti më i rëndësishëm për këtë agjenci që nga Lufta e Ftohtë dhe ndoshta që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha zonja Bennett. “USAGM duhet të pozicionohet për të qenë vazhdimisht konkuruese në botën e sotshme të rrezikshme të manipulimit të informacionit dhe investimeve të mëdha nga regjimet autoritare dhe aktorët e tjerë keqdashës”.

Agjencia kërkon një buxhet prej 944 milionë dollarësh

USAGM ka kërkuar një buxhet prej 944 milionë dollarësh për vitin fiskal 2024, me një rritje prej 59 milionë dollarësh nga viti pararendës. Disa ligjvënës kanë ngritur pikëpyetje nëse agjencia po i përdor siç duhet fondet e ardhura nga taksapaguesit amerikanë.

“Kemi një sistem shumë të hapur”, tha Senatori demokrat Ben Cardin, duke krahasuar rrjetet e USAGM-it me mediat shtetërore nëpër botë. “E ruajmë me shumë kujdes pavarësinë gazetareske të agjencisë tuaj, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Por, si politikëbërës dëshirojmë të sigurohemi se po i vendosim burimet dhe prioritetet në ato pjesë të botës ku e kemi më të nevojshme”.

USAGM ka patur ndryshime strukturore të udhëzuara nga Senati gjatë viteve të fundit për të trajtuar prioritete të ndryshme me entitetet e saj, pengesat teknologjike, burokracinë qeveritare dhe financimin e duhur, në dallim nga mediat shtetërore të vendeve të tjera.

Më herët këtë vit, Kryetari i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, Michael McCaul, shprehu shqetësimin për praktikat e punësimit dhe çensurës së mundshme në Zërin e Amerikës. Ai shkruajti në një letër drejtuar zonjës Bennett se duke qenë “një organizatë mediatike e financuar nga fondet publike, është jetike që USAGM dhe Zëri i Amerikës të zbatojnë këto kritere të rrepta për integritetin dhe paanshmërinë, duke i mbajtur drejtuesit e USAGM-it jashtë procesit të vendimmarrjes editoriale”.

USAGM vlerësohet ndërkombëtarisht

Ekspertët e diplomacisë publike u thanë ligjvënësve se USAGM-i nuk duhet të përqafojë çdo platformë dhe çdo objektiv, për shkak të kufizimeve në burime.

“Uashingtoni duke të ndërmarrë fushata të koordinuara të bazuara tek vërtetësia, për të ekspozuar dështimet dhe premtimet e rreme të diktaturave”, tha Jessica Brandt, drejtore për politikat në Iniciativën për Inteligjencën Artificiale dhe Teknologjitë e Reja, në Institutin Brookings. “Duhet gjithashtu ta vërë në përdorim këtë informacion në mbarë botën, jo vetëm pasi është në përputhje me parimet demokratike, por sepse i vendos Rusinë dhe Kinën në pozita mbrojtëse”.

Zonja Brandt vuri në dukje se audiencat ndërkombëtare vlerësojnë informimin nga USAGM-i për vërtetësinë e tij.

“Në informimin për Shtetet e Bashkuara, Zëri i Amerikës nuk duhet të hezitojë të paraqesë eksperiencën amerikane me të gjithë kompleksitetin e saj”, tha ajo gjatë dëshmisë. “Është shenjë force, dhe jo dobësie, që një entitet i financuar nga qeveria të përballet ndershmërisht me sfidat e saj. Mendoj se një veprim i tillë mund të gjejë vend mes atyre që po vështirësohen në mbajtjen gjallë të demokracisë” në vendet e tyre.