Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se Kosova dhe Serbia shënuan një hap pozitiv me miratimin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë luftës si dhe me fillimin e negociatave për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa u shpreh i shqetësuar me situatën në veriun e Kosovës.
Zoti Borrell ndërmjetësoi të martën takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve që u arrit më 27 shkurt në Bruksel dhe për zbatimin e së cilës palët u pajtuan me 18 mars në Ohër.
Të dy udhëheqësit miratuan një deklaratë të përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë nëpërmjet së cilës ata zotohen për “zbatimin e plotë të detyrimeve” për ndriçimin e fatit të të zhdukurve.
Lexoni edhe këtë Bisedimet Kosovë-Serbi: Miratohet deklarata për personat e zhdukur gjatë luftësZoti Borrell tha ndërkaq se në bisedime u hodh “një hap simbolik drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Projekt statuti i Asociacionit është hartuar nga një ekip menaxhues që përbëhet nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, përfshirë një deputete të parlamentit të Serbisë.
Zoti Borrell tha se ky është projekti i parë “që nuk është përfundimtar”, ndërsa pikëpamjet e palëve ishin tërësisht të kundërta, tha ai duke nënvizuar se palët u pajtuan të fillojnë bisedimet për themelimin e Asociacionit.
“U bëj thirrje palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të jenë gati për kompromis”, tha zoti Borrell.
Ai tha se është diskutuar edhe për situatën në terren duke shprehur sic tha shqetësimin për gjendjen në veriun e Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit për pushtetin komunal, që u bojkotuan nga votuesit serbë me kërkesën e Beogradit.
“Është e qartë se këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate. Përkundrazi mund të çojnë në përshkallëzim dhe të pengojnë zbatimin e marrëveshjes”, për normalizimin e marrëdhënieve, tha zoti Borrell, duke u bërë thirrje palëve që të gjejnë një zgjidhje e cila mundëson kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës në veri, të cilat i braktisën në nëntor të vitit të kaluar mes tensionesh rreth përdorimit të targave të makinave.
“Për fat të keq ata nuk arritën asnjë marrëveshje për këtë çështje dhe kam frikë se mund të përballemi me situatë të keqe”, tha zoti Borrell.
Kurti: Projekt statuti i Asociacionit – dëshirë për një Republikë Serbë në Kosovë
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha pas takimit të së martës se projekt statuti i paraqitur nga Ekipi Menaxhues “është fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, të drejtat e njeriut, vlerat evropiane, të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane”.
Ai tha se projekt statuti i Ekipit Menaxhues, “është rezultat i dëshirës për Republika Sërpska në Kosovë”.
Kryeministri Kurti tha se ka propozuar me këtë rast një projekt pikëpamje se si do duhej të ishin vlerat dhe parimet që rregullojnë çështjen e komuniteteve pakicë në Kosovë.
“Draft-visioni është inspiruar nga një marrëveshje të bërë nga Serbia për normalizim të marrëdhënieve me Kroacinë. Kjo marrëveshje parasheh të drejtat e dispozitat për mbrojtje të pakicës serbe në Kroaci”, tha ai.
Kryeministri Kurti tha se në takimin ka dorëzuar edhe një dokument mbi shkeljen e marrëveshjes nga ana e Serbisë.
“Në këtë dokument shihet qartë, e në mënyrë faktike e të dokumentuar, se nga 11 nene të marrëveshjes bazë, tetë prej tyre i ka shkelur Serbia. Vetëm në muajt mars e prill janë shkelur tetë nene. Dorëzova edhe një dokument me tri deklarata të presidentit të Serbisë ku ai thotë se nuk është pajtuar me marrëveshjen bazë që ta zbatojë në tërësi”, tha kryeministri Kurti.
Vuçiç: Prishtina nuk dëshiron të themelojë Asociacionin
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u shpreh “i brengosur” meqë “është e qartë se Prishtina nuk dëshiron të përmbushë detyrimin” për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
"Në vitin 2015, unë dhe (kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa) Msutafa nënshkruam parimet për Asociacionin dhe tani ata po heqin dorë nga të gjitha parimet, duke thënë se nuk mund t'i pranojë ato, sepse kështu e thotë Gjykata Kushtetuese e Kosovës", tha presidenti serb.
Kosova dhe Serbia u morën vesh në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit, ndërsa në muajin gusht të vitit 2015 për parimet e tij. Po atë vit Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
"Ata, ose do ta pranojnë atë për të cilën jemi pajtuar në vitin 2015, ose do të jetë fundi i çdo gjëje”, tha presidenti serb.
Beogradi thotë se Asociacioni është kusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës por edhe zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.
Marrëveshja e mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, që filluan në vitin 2011 por nuk përmbushën synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve.