Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, miratuan të martën në Bruksel një deklaratë të përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë nëpërmjet së cilës ata zotohen për “zbatimin e plotë të detyrimeve” për ndriçimin e fatit të të zhdukurve.
Deklarata u miratua në fillim takimit në Bruksel, në kuadër të bisedimeve për zbatimin e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Në deklaratë thuhet se palët do të “bashkëpunojnë ngushtë në identifikimin e lokacioneve të varrezave dhe të angazhohen në gërmimin e tyre, do të sigurojnë qasje të plotë në informata të besueshme e të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur gjatë periudhës kohore nga një janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor të vitit 2000”. Më tej thuhet e këtu përfshihen “të gjitha materialet, shkrimet, urdhrat, dokumentet, video incizimet, audio incizimet dhe çfarëdo lloj dokumenti tjetër, duke përfshirë edhe ato që cilësohen si të klasifikuara në institucionet përkatëse të të dyja palëve”.
Sipas deklaratës palët do të themelojnë dhe punojnë së bashku në një Komision të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe të mbikëqyrur nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, duke mirëpritur miratimin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, tha se kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç janë zotuar gjithashtu të pajtohen për hollësitë operacionale në takimin e ardhshëm, që pritet të mbahet në nivel të kryenegociatorëve.
“Zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur nuk është vetëm një detyrim humanitar, është gjithashtu një mundësi thelbësore për pajtimin dhe besimin ndërmjet njerëzve. Bashkimi Evropian pret që palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur dhe në përmbushjen e detyrimeve të tyre përkatëse ndaj familjeve”, tha zoti Borrell, duke shtuar se Komiteti i Përbashkët i Monitorimit do të mbikëqyr rregullisht përparimin e shënuar mbi këtë çështje.
Edhe 24 vjet pas luftës në Kosovë, ende nuk dihet asgjë për fatin e rreth 1 mijë e 600 personave të zhdukur, shumica e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare tha në një përgjigje për Zërin e Amerikës se miratimi i deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur është lajm i mirë, megjithëse siç u shpreh ai përmban elemente që “janë thënë dhe dakorduar edhe në të kaluarën, siç është zotimi për bashkëpunim e ngushtë në identifikimin e lokacioneve të varrezave dhe gërmimi i tyre”.
“Një ndër pikat e rëndësishme është ofrimi i dokumenteve relevante për zbulimin e fatit të personave të zhdukur, duke përfshirë edhe dokumentet e klasifikuara. Nëse kjo pikë zbatohet dhe monitorohet nga afër atëherë mund të sjell progres në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”, tha zoti Blakaj.
Miratimi i kësaj deklarate njëherësh shënon edhe fillimin e zbatimit real të marrëveshjes së arritur me 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, që është kusht për integrimin e të dyja palëve në Bashkimin Evropian.
Paraqitja dhe diskutimi i projekt statutit të parë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është çështja e dytë që pritet të diskutohet në takimin e sotëm.
Projekt statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe që paraqitet sot është hartuar nga një ekip menaxhues që përbëhet nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, përfshirë një deputete të parlamentit të Serbisë.
Autoritetet në Kosovë kanë hedhur dyshime lidhur me përbërjen e ekipit ndërsa kanë theksuar se ky mekanizëm duhet të përbëhet nga qytetarë të Kosovës që nuk e përfaqësojnë në asnjë mënyrë interesin e Serbisë duke shtuar se Kosova nuk do të pranojë asgjë që është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më herët gjatë ditës se pret që kryeministri Kurti ta ketë një variant të vetin për statutin e Asociacionin duke hedhur dyshime se ai që është hartuar nga ekipi menaxhues mund të bie ndesh me Kushtetutën.
Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur deri në përgatitjen e këtij materjali interesimit të Zërit të Amerikës për të kuptuar nëse ka një projekt statut të vetin që mund ta paraqes në takimin e sotëm. Kryeministri Kurti ka deklaruar më parë se qeveria e tij ka qenë e gatshme të hartojë një projekt statut, por se nga Bashkimi Evropian i është thënë se këtë statut e harton ekipi menaxhues. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi, shkroi se sipas një vendimi të vitit 2020 parashihet që Ekipi Menaxhues të bashkërendohet me ministrinë e tij dhe t’i raportojë asaj. Por, ky ekip, tha ai, nuk i është përgjigjur një ftese për takim.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një kërkesë e theksuar shpesh së fundmi nga diplomatët perëndimorë, por edhe Beogradi, i cili e kushtëzon kthimin e serbëve vendas në institucionet e Kosovës të cilat i braktisën në fund të vitit të kaluar, por edhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, javën e kaluar bisedoi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërsa të hënën në mbrëmje me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për të shprehur pritjet amerikane për një takim konstruktiv dhe përparim në bisedime, posaçërisht për formimin e Asociacionit.
Deri tani nga ajo çfarë është paraparë në Ohër, përveç deklaratës që u miratua sot, është realizuar vetëm themelimi i Komitetit të Përbashkët Monitorues, që drejtohet nga Bashkimi Evropian për zbatimin e marrëveshjes e cila kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë në vazhdimësi se çdo refuzim për ta zbatuar në tërësi këtë marrëveshje do të ketë pasoja negative.