FIFA po kërcënon të mos transmetojë ndjeshjet e Kupës Botëtore të Futbollit për Femra në 5 vendet kryesore evropiane këtë verë, nëse tranmetuesit e medias nuk paguajnë çmime më të larta për të marrë të drejtat e transmetimit. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino thotë se mediat duhet të paguajnë më shumë për sportin e grave, veçanërisht në frymën e kritikave për paga të pabarabarta.
Your browser doesn’t support HTML5
Vendet kryesore të futbollit në Evropë përballen me ndërprerje të transmetimit të ndjeshjeve të Kupës së Botës për Femrat të këtij viti, nëse mediat nuk mund të përmirësojnë ofertat e tyre "zhgënjyese" për të drejtat e transmetimit, tha presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
“Ne ndërmorëm hapin e parë në FIFA duke rritur ndjeshëm çmimet dhe objektivi ynë është të arrijmë një situatë të barabartë pagash në Botërorin e ardhshëm. Por transmetuesit, veçanërisht transmetuesit publikë të financuar nga paratë e taksapaguesve, duhet t'i kthejnë fjalët në vepra, sepse me të drejtë kritikojnë organizatat e futbollit, ose organizatat e tjera sportive, që nuk paguajnë gratë dhe burrat në mënyrë të barabartë. Por, ne na duhet t'i sigurojmë këto të ardhura dhe ata duhet të na ndihmojnë, sepse përndryshe ne thjesht nuk do t'ua shesim atyre këto të drejta me këto çmime të ulta”.
Ofertat nga 5 vendet evropiane nuk ishin të pranueshme për FIFA-n dhe një "shuplakë në fytyrë" për lojtaret dhe "të gjitha gratë në mbarë botën", tha Infantino.
“Për të qenë shumë i qartë, është detyrimi ynë moral dhe ligjor që të mos e shesim më pak Kupën e Botës për femra. Prandaj, nëse ofertat vazhdojnë të mos jenë të drejta, ne do të detyrohemi të mos transmetojmë Kupën e Botës për femra në 5 vendet evropiane”, tha zoti Infantino në një takim të Organizatës Botërore të Tregtisë në Gjenevë.
5 vendet janë Britania, Spanja, Italia, Gjermania dhe Franca.
Kupa e Botës, e organizuar nga Australia dhe Zelanda e Re, fillon më 20 korrik.
Presidenti i FIFA-s tha se transmetuesit kishin ofruar vetëm 1 -10 milionë dollarë për të drejtat, krahasuar me 100-200 milionë dollarë për të drejtat e transmetimit të Kupës së Botës për meshkuj.
“Për Kupën e Botës për femra, na bëjnë oferta 10 deri në 100 herë më pak sesa për Kupën e Botës për meshkuj - 100 herë më pak. Po të shihni shifrat e shikueshmërisë së Kupës së Botës për femra dhe ta krahasoni atë me Kupën e Botës për meshkuj, nuk janë 100 herë më të ulta. Kupa e Botës për femra ka ndoshta 50–60% të shikueshmërisë për Kupës së Botës për meshkuj. Në Gjermani, ndeshja më e shikuar e futbollit vitin e kaluar ishte finalja e UEFA-s për femra, jo ndeshjet e Kupës së Botës për meshkuj të Gjermanisë, finalja e femrave. Pra, nuk e kuptoj pse transmetuesit gjermanë na ofrojnë 30-40 herë më pak se për Kupën e Botës për meshkuj. Është e njëjta gjë për britanikët, e njëjta gjë për italianët”.
Për shkak të ndryshimit të zonës kohore, ndeshjet e Kupës së Botës për femra do të zhvilohen jashtë orarit kryesor të shikimit për tregjet evropiane, por Infantino tha se ky nuk duhet të ishte justifikim.
"Ndoshta ... ndeshjet nuk luhen në kohën me shikueshmëri më të lartë në Evropë, por megjithatë, luhet në orën 9 ose 10 të mëngjesit, kështu që është një kohë mjaft e arsyeshme," tha ai.
Sipas një vëzhgimi të FIFA-s, rreth 1.12 miliardë shikues panë ndeshjet e Kupës së Botës 2019 të Grave në Francë në të gjitha platformat.