Një anije transporti e marinës së Shteteve të Bashkuara mbërriti në brigjet e Arabisë Saudite duke shpëtuar kështu rreth 308 të evakuuar nga Sudani. Pas një trysnie në rritje ndërkombëtare, palët ndërluftuese e zgjatën armëpushimin edhe për tre ditë të tjera, megjithëse shkëmbimet e zjarrit kanë vazhduar dhe kryeqyteti sudanez ishte edhe sot i mbuluar nga tymi i zi.
Your browser doesn’t support HTML5
Anija e marinës amerikane, që transportonte të evakuuarit nga Sudani, mbërriti të hënën në Xhedah të Arabisë Saudite. Sipas zyrtarëve sauditë, në bord ishin 308 të evakuuar dhe mediat saudite thanë se ndër ta ishin 105 amerikanë.
Të evakuuarit u pritën nga stafi i ambasadës amerikane të veshur me bluza në ngjyrë të kuqe me stemën zyrtare të Shteteve të Bashkuara dhe në vazhdim u larguan me autobuzë.
Anija USNS Brunswick është një anije e shpejtë transporti, që përdoret gjatë ekspeditave të marinës së Shteteve të Bashkuara. Sipas zëdhënësit të Flotës së 5-të Amerikane, anija ishte nisur nga Sudani një ditë më parë.
Ushtria e Sudanit dhe njësitë rivale paraushtarake thanë të dielën se do ta vazhdonin armëpushimin edhe për 72 orë të tjera. Vendimi u njoftua pas trysnisë ndërkombëtare për të lejuar kalimin e sigurt të civilëve dhe ndihmave, por armëpushimi deri më tani nuk ka arritur të ndalë luftimet. Tymi i zi kishte mbuluar edhe të hënën kryeqytetin e vendit, Khartumin. Palët akuzuan njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit.
Një shenjë shprese ishte mbërritja të dielën në Port Sudan e 8 tonëve ndihma humanitare, përfshirë materiale kirurgjikale.
Konflikti ka vënë në rrezik mbi 600 mijë fëmijë sudanezë, të cilët vuanin nga kequshqyerja që përpara se të fillonte konflikti.
“Dimë se përpara krizës, mbi 15 milionë njerëz kishin nevojë për ndihmë humanitare, dhe ndër ta ishin 8 milionë fëmijë. Me gjithë bombardimet ajrore, sulmet ndaj objekteve, ndaj infrastrukturës së ujit, shkatërrimin e vaksinave jetike – kjo shifër do të rritet”, thotë Jill Lawler, drejtuese e operacioneve të UNICEF-it në Sudan.
Shumica e sudanezëve me dyshtetësi janë mbledhur drejt qytetit ‘Port Sudan’ me shpresën se do t’u mundësohet evakuimi. Por shumica e të zhvendosurve brenda vendit mbështeten vetëm tek bujaria e të tjerëve për të gjetur strehim dhe ushqim, si zonja Hasan, që pjek bukë për refugjatët pranë kufirit me Egjiptin.
“Dera e shtëpisë tonë është e hapur. Do të mirëpresim çdo person që vjen. Shpresoj që Zoti të ndalë luftimet dhe palët të bien dakort për ta zgjidhur situatën”, thotë Naamat Jabal Sayyid Hasan, banore në Wadi Halfa.
Kombet e Bashkuara vlerësojnë se vetëm në një rajon, nga luftimet në Khartoum dhe Darfur, janë zhvendosur 75 mijë persona.