I akuzuari për rrjedhjen e informacioneve të Pentagonit donte të vriste "shumë njerëz"

Jack Douglas Teixeira appears in federal court in Boston

Një gjykatës ka shtyrë marrjen e vendimit nëse anëtari i Gardës Kombëtare Ajrore në Masaçusets, i akuzuar për nxjerrjen e informacioneve ushtarake shumë të klasifikuara, duhet të mbahet në burg deri në gjykimin e tij. Anëtari i Gardës Kombëtare Ajrore në Masaçusets, mbante një arsenal armësh dhe fliste për "dhunë dhe vrasje" në një platformë të mediave sociale dhe se ai do të donte të vriste "shumë njerëz", thanë prokurorët duke argumentuar të enjten se 21-vjeçari Jack Teixeira duhet të qëndrojë në burg deri në gjykimin e tij.

Por gjyqtari në seancën e paraburgimit të të akuzuarit Teixeira shtyu një vendim të menjëhershëm nëse ai duhet të mbahet në paraburgim ose të lirohet në izolim në shtëpi apo në kushte të tjera. Teixeira u largua nga gjykata me pranga, në pritje të vendimit.

Dokumentat gjyqësore ngrenë pyetje të reja se përse Teixeira kishte një leje kaq të lartë sigurie dhe qasje në disa nga sekretet më të klasifikuara të vendit. Ata thanë se ai mund të ketë ende materiale që nuk janë publikuar, të cilat mund të jenë me "vlerë të jashtëzakonshme për shtetet armiqësore që mund t'i ofrojnë atij një vend të sigurt dhe të përpiqen të lehtësojnë arratisjen e tij nga Shtetet e Bashkuara".

Në seancën e paraburgimit të Teixeira-s, gjykatësi i magjistraturës David Hennessy shprehu skepticizëm për argumentet e mbrojtjes se qeveria nuk ka treguar ndonjëherë se Teixeira synonte që informacionet e rrjedhura të shpërndaheshin gjerësisht.

“Dikush nën moshën 30-vjeçare nuk e ka idenë se kur vendos diçka në internet, ajo mund të përfundojë kudo në këtë botë?” pyeti gjyqtari. "Seriozisht?"

Një mundësi është që gjykatësi mund të urdhërojë që Teixeira të mbyllet në shtëpinë e babait të tij ndërsa pret gjykimin, nëse nuk mbahet në burg. Në pyetje në seancë, babai i tij, Jack Michael Teixeira, tha se ishte i vetëdijshëm se nëse djali i tij do të shkelte kushtet e lirimit ose të izolimit në shtëpi, ai do të duhej ta raportonte atë. Michael Teixeira tha se ai zotëron armë zjarri, por nuk ka më asnjë në shtëpinë e tij.

Dokumentet e gjykatës që i kërkonin një gjyqtari federal të mbante Teixeiras në paraburgim detajonin një histori shqetësuese që nga shkolla e mesme, ku ai u pezullua kur një shok klase e dëgjoi duke diskutuar për një kokteje molotovi dhe armësh të tjera, si dhe kërcënime racore. Kohët e fundit, prokurorët thanë, ai përdori kompjuterin e tij të qeverisë për të hulumtuar të shtënat masive dhe përplasjet me agjentët federalë.

Ai mbetet një kërcënim i rëndë për sigurinë kombëtare dhe një rrezik fluturimi, shkruan prokurorët. Hetuesit janë ende duke u përpjekur të përcaktojnë nëse ai ka mbajtur ndonjë kopje fizike apo dixhitale të informacionit të klasifikuar, duke përfshirë dosjet që nuk janë shfaqur tashmë publikisht.

Deklarata e paraqitur në gjykatë pretendon gjithashtu se Jack Teixeira u diktua më 6 prill - ditën kur gazeta New York Times publikoi për herë të parë një shkrim në lidhje me rrjedhjen e dokumentave - duke kërkuar për fjalën "rrjedhje" në një sistem të klasifikuar. FBI-ja thotë se kjo linte të kuptonte se Teixeira po përpiqej të gjente informacion mbi hetimin për gjetjen e përgjegjësisë për rrjedhjet.