Kryetari i Bashkimit të Sindikave të Pavaruara të Shqipërisë Gëzim Kalaja rendit si shkak të rënies së aktivitetin sindikalist në vend, shtypjen që politika e të dyja krahëve i bën këtyre organizatave që mbrojnë interesat e punonjësve. Po kështu sipas tij, protestat sindikaliste shpesh ndeshen me paragjykime dhe akuza, se pas tyre qëndron një parti politike.
Në intervistën për Zërin e Amerikës zoti Kalaja flet mbi gjendjen e sektorit minerar në Shqipëri, problemet me teknogjinë e vjetëruar dhe kushtet e vështira të punës për minatorët. Ai thotë se në ato miniera që janë marrë në dorë nga kompanitë e huaja, situata është përmirësuar, gjë që nuk mund të thuhet sipas tij, për minierat që administrohen nga ish-punonjës të industrisë.
Your browser doesn’t support HTML5
Zëri i Amerikës: Zoti Kalaja, ju keni qenë në krye të Bashkimit të Sindikatave të Pavaruara prej disa dekadash, por në Shqipëri, veprimtaritë sindikaliste janë të vakta dhe pothuajse inekzistente. Si e shpjegoni këtë mungesë organizimi të punonjësve?
Gëzim Kalaja: Do t’i përgjigjem pyetjes suaj, por do ta nis nga fjala inekzistente. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura Shqiptare qëndron në të gjitha institucionet e saj, është e shtrirë në rrafshin horizontal, në rrafshin vertikal, do të thotë në federatat e profesioneve dhe sindikatat e rajoneve. Eshtë e vërtetë që ka patur një ulje të aktivitetit sindikalist për shkak të shtypjes që bën politika e të dy krahëve në drejtim të sindikalizmit shqiptar, jo vetëm për Bashkimin e Sindikatave të Pavarura Shqiptare, por edhe për sindikatat e tjera, sepse, ju nuk e di nëse keni informacion, por në Shqipëri është hequr ministria e Punës e cila është koordinatore kryesore për një sindikatë, për të zgjidhur problemet e saj dhe për të gjallëruar lëvizjet sindikaliste. E dyta, është presioni i politikës që bëhet, sepse në qoftë se do të zhvillosh një protestë, ke akuzat e menjëhershme që i shërben x partie apo y partie. Megjithatë, kohët e fundit, drejtësia amerikane ka dërguar tek neve “Qendrën për Solidaritet”, e cila është jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin Perëndimor dhe ka një evoluim, një lëvizje përpara pozitive të sindikalizmit në Shqipëri, por shumë shpejt do të fillojë gjallëria dhe mendoj sindikatat do të kenë prioritetin e tyre kryesor, siç e kanë patur më përpara.
Zëri i Amerikës: Zoti Kalaja, ju ndodheni në SHBA me ftesë të sindikatës së Minatorëve të Amerikës. Shqipëria trashëgoi nga diktatura shumë miniera me teknologji të vjetër, të cilat janë privatizuar, por minatorët janë ankuar për kushte të vështira pune dhe ka patur jo pak njoftime për aksidente në to. Si mund të mbrohen më mirë këta punëtorë?
Gëzim Kalaja: Në 28 prill është Dita Botërore e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, për të cilën ndodhem në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne sot ne do të udhëtojmë për në Virxhinian Perëndimore. Do të marrim pjesë edhe në një miting më të madh, pas nënshkrimit të marrëveshjes që bëmë me Sindikatën e Minatorëve të Amerikës, e cila u nënshkrua nga nga presidenti i saj, Cecil Roberts. Për sa i përket minierave shqiptare deri tani 587 minatorë kanë gjetur vdekjen. Njëkohësisht, kompanitë që kanë ardhur për të punuar, më tepër janë për të marrë mineralin, sesa për të investuar. Sigurisht që ka dhe kompani të cilat kanë investuar rregullisht.
Zëri i Amerikës: Por, si është gjendja e përgjithshme?
Gëzim Kalaja: Atje ku kanë dorë kompanitë e huaja që po investojnë në Shqipëri, ka një përmirësim të situatës të industrisë minerare. Atje ku vazhdon të jetë nën administrimin e ish-punonjësve të industrisë minierare, për pamundësi financiare, vazhdon të jetë një gjendje shumë e dobët, në të cilën kanë ndodhur dhe aksidentet me vdekje.
Zëri i Amerikës: Çfarë mendoni se kanë arritur lëvizjet sindikale në Shqipëri që prej krijimit të tyre. Shpesh është folur për një lloj konformizmi të tyre, apo pajtimi të verbër me polikën, që ka rënë ndesh me interesat e punonjësve.
Gëzim Kalaja: Në këtë rast unë do flas për institucionin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, pa marrë përgjegjësinë për sindikatat e tjera. Kjo dihet që në fillimet e vitit 1991, se BSPSH-ja, ishte motori kryesor i përmbysjes së diktaturës në Shqipëri. Bashkë me opozitën shqiptare, studentët dhe pas fitores së opozitës antikomuniste në Shqipëri, BSPSH-ja u mor drejt institucionalizimit të marrëdhënieve sociale e mbrojtjen e interesave të punëtorëve shqiptare. Është një nga institucionet e para që kanë krijuar dhe kanë nënshkruar kontrata kolektive e cila ndodhet në arkivin e qeverisë shqiptare, dhe vazhdon me prioritet të mbrojë interesat e punëtorëve shqiptarë që tashmë janë shtrirë në rajonet apo industrinë minerare, apo atë energjetike, që përmirësojnë atë që s’bën qeveria shqiptare. Me rritjen e pagave për industrinë minerare, nuk merret qeveria merret sindikata, e minatorëve të Shqipërisë, që nëpërmjet kontratave kolektive të punës arrin që të ngrejë pagën. Kemi arritur nga ngremë nga 1400 në 1600 dollarë për industrinë minerare, që unë mendoj për shkak të situatës në të cilën ndodhet Shqipëria, nuk është e pakët në krahasim me pagat e tjera.
Zëri i Amerikës: A mendoni zoti Kalaja se shqiptarët u besojnë sot sindikatave?
Gëzim Kalaja: Baza sindikaliste ka besim tek BSPSH-ja dhe sidomos sidinkata e minatorëve shqiptare është flamurtarja e realizimit të kontratave kolektive të punës dhe mbrotjes së interesave të minatorëve shqiptare.
Zëri i Amerikës: Por a mundet sot që një punonjës në Shqipëri t’i besojë fatin e punës së tij, sindikave, t’ia lërë atyre t’i zgjidhin problemet që ka? Pse nuk organizime në terren?
Gëzim Kalaja: Besoj se po. Nuk do të thotë që vetëm nëpërmjet protestash të arrish rezultate, sepse rezultatet mund të arrihen edhe nëpërmjet tavolinës së bisedime, me dialog. Ne kemi zhvilluar protesta madhore me praninë e 50 apo 100 mijë njerëzve, duke e imponuar qeverinë për çështjen e krizës energjisë elektrike, për punën e çmimeve dhe probleme të tjera që kanë të bëjnë me jetën sociale, të punonjësve të Shqipërisë.
Zëri i Amerikës: Cilat janë marrëdhëniet tuaja me qeverinë?
Gëzim Kalaja: Marrëdhëniet tona me qeverinë janë siç janë marrëdheniet e organizave të tjera dhe partive politike me qeverinë shqiptare.
Zëri i Amerikës: Që do të thotë?
Gëzim Kalaja: Që do të thotë se nuk funksionojnë mirë.