Biçikletat elektrike në epiqendër të panairit më të madh në Danimarkë 

Ilustrim

Biçikletat elektrike janë në epiqendër të vëmendjes në panairin më të madh të biçikletave në kryeqytetin danez Kopenhagen. Një raport i publikuar rishtazi thotë se pothuajse një e katërta e të gjitha biçikletave që shiten në këtë vend nordik tashmë janë biçikleta me bateri.

Your browser doesn’t support HTML5

Biçikletat elektrike në epiqendër të panairit më të madh në Danimarkë

Vizitorët po provojnë biçikletat më të fundit në panairin e Kopenhagenit.

Këtu gjenden të gjitha llojet e biçikletave, për të udhëtuar në rrugë, në terren malor, për të transportuar ngarkesa, si dhe biçikletat për fëmijë.

Tendenca kryesore është gjithnjë e më shumë për biçikletat me bateri. Një raport danez vë në dukje se tregu pothuajse jo ekzistent në vitin 2011 për këto mjete, është arritur tashmë në gati 25%.

Ekspertët thonë se tashmë çiklistët mund të bëjnë udhëtime më të gjata krahasuar me biçikletat tradicionale, dhe se këto janë më miqësore me mjedisin se motoçikletat me karburant.

“Është rreth çereku i tregut, por nëse shikoni ritmin e rritjes, është me gati 200%. Pra, ky është me siguri segmenti me rritjen më të shpejtë dhe ka qenë kështu prej kohësh. Federata Daneze e Çiklizmit parashikon se në pak vite, të rinjtë do të ngasin biçikleta elektrike në vend të motoçikletave”, thotë Christian Ritter, organizator i Panairit të Biçikletave.

Kompania Kildemoes merr pjesë në panair me një larmishmëri biçikletash, ndër to edhe biçikleta elektrike, që kanë arritur në 40% të shitjeve të përgjithshme të kompanisë.

“Njerëzit kanë ndryshuar mënyrën e të menduarit për mjetet e tyre të transportit. Duan të zgjedhin një mënyrë transporti që është miqësore për ekonominë dhe për mjedisin. Në qytetet e mëdha është gjithnjë e më e vështirë të gjesh parkim për makinën. Dhe njerëzit duan të kenë fleksibilitet, duan ta marrin biçikletën kur të duan”, thotë Martin Petersen, nga kompania “Kildemoes”.

Së bashku me Holandën, Danimarka njihet si një qendër evropiane për çiklizmin. Sipas organizatës së turizmit “Visit Denmark”, çdo danez përshkon me biçikletë rreth 1.4 kilometra në ditë. Por, rishtazi kishte filluar të binte përdorimi i biçikletave.

“Që nga viti 2014, çiklizmi në Danimarkë kishte filluar të binte. Deri vitin e kaluar, kur filloi të rritet sërish, me 8.4%, dhe kjo është një rritje e madhe. Kjo ndodhi për shkak të kostove të mëdha të karburantit dhe mendoj se gjithashtu njerëzit shqetësohen më shumë për mjedisin”, thotë Jens Peter Hansen, president i Federatës Daneze të Çiklizmit.

Firma suedeze Cargobike thotë se është shtuar kërkesa për biçikletat e saj që përdoren për transport mallrash.

“Tashmë shohim gjithnjë e më shumë kompani të vogla, si marangozë, bojaxhinj, shërbime të vogla shpërndarjeje si Foodora apo Uber Eats që po hyjnë në tregje nga më të ndryshmet. Në veçanti tani që kompanitë e mëdha po e transformojnë flotën e automjeteve të tyre në diçka më mjedisore, shohim një rritje të kërkesës për këtë”, thotë Peter Demalten, drejtues në kompaninë “Cargobike”.

Rasmus Rhode, artist i poezisë së folur, e përdor çiklizmin në krijimet e tij si një alegori për shoqërinë daneze. Ai thotë se danezët e kanë të lehtë ta kuptojnë poezinë e tij për shkak të kulturës së përhapur të çiklizmit.

“Shumica e danezëve janë të lidhur me biçikletat që kur janë në moshë shumë të re. Është e gdhendur brenda nesh, kultura e çiklizmit”, thotë artisti.

Siç ndodhi në Holandë, brenda një dekade mendohet se biçikletat elektrike mund të arrijnë në Danimarkë në 50% të biçikletave në treg.