Kompania Twitter ka hequr etiketimet që i cilësonin llogaritë e disa organizatave globale mediatike në këtë rrjet social, si “të financuara nga qeveria” ose “të lidhura me shtetin”.
Veprimi vjen pasi platforma e pronarit Elon Musk filloi t’u hiqte simbolin blu në krah të emrit të profilit, atyre që nuk bëjnë pagesë mujore ndaj Twitter-it.
Simboli blu (që në fakt është një shenjë e bardhë në një fushë blu) shërbente për të treguar se llogaria ishte verifikuar nga Twitter.
Mes mediave të cilave u është hequr etiketimi është edhe Radio Kombëtare Publike në Shtetet e Bashkura, që njoftoi javën e kaluar se do të ndërpriste përdorimin e Twitter-it pasi llogaria kryesore e saj u etiketua si media shtetërore, një term që përdoret për të identifikuar rrjetet mediatike që kontrollohen ose ndikohen fuqishëm nga qeveritë autoritare, si Rusia apo Kina.
Më vone, Twitter e ndryshoi cilësimin në "media të financuara nga qeveria", por Radio Kombëtare Publike, e cila mbështetet tek fondet publike vetëm në një përqindje të ulët për buxhetin total të saj, tha se edhe ky etiketim krijonte përshtypje të gabuar.
Edhe transmetuesi shtetëror televiziv dhe radiofonik në Kanada dhe radiot publike në Suedi morën të njëjtën vendim, duke ndërprerë përdorimin e Twitter-it.
Përcaktimi si media e financuar nga qeveria i rrjetit kanadez, CBC u zhduk të premten, ashtu si edhe etiketimi i lidhjes me qeverinë për llogaritë e rrjeteve si agjencia e lajmeve “Sputnik” dhe “RT” (televizioni shtetëror) në Rusi dhe asgjencia shtetërore e lajmeve në Kinë, “Xinhua”.
Të enjten, shumë përdorues të profilit të lartë të Twitterit humbën simbolin blu në krah të llogarisë të tyre, që shërbente për të treguar se identiteti i tyre ishte i verifikuar dhe i dallonte ata nga mashtruesit.
Twitter kishte më shumë se sa 300,000 përdorues me këtë simbol identifikues, shumë prej tyre, gazetarë, atletë dhe figura publike.
Tani Twitter po ofron simbole identifikuese në ngjyrë të artë për “organizatat e verifikuara” dhe në ngjyrë jeshile për organizatat qeveritare dhe degët e tyre. Eshtë e paqartë se përse të premten, disa llogari i kishin këto simbole dhe disa të tjera jo.
Mes përdoruesve të lartë që humbën simbolin blu të verifikimit ishin Beyoncé, Papa Françesku, Oprah Winfrey dhe ish-presidenti Donald Trump. Kostot për ta mbajtur të verifikuar llogarinë variojnë nga 8 dollarë në muaj për krijues individualë përmbajtjeje online , deri në një çmim fillestar prej 1000 dollarë në muaj për të verifikuar një organizatë, plus 50 dollarë në muaj për çdo llogari të punonjësve apo degëve të organizatës. Twitter nuk verifikon më llogaritë individuale, siç veprohej përpara se zoti Musk të merrte drejtimin e kompanisë.
Përdoruesit e famshëm si ylli i basketbollit LeBron James, shkrimtari Stephen King dhe ylli i serive të Star Trek, William Shatner nuk kanë pranuar t’u bashkohen rregullave të reja, edhe pse të enjten, të tre kishin simbolin blu që tregonte se ishte paguar për verifikimin e llogarisë.
Shkrimtari King tha se nuk kishte bërë asnjë pagesë.
“Në llogarinë time në Twitter thuhet se se unë jam abonuar në Twitter Blue. Thuhet se kam dhënë numin e telefonit. Nuk jam regjistruar, nuk e kam dhënë numrin. Thjesht ta dini”, shkroi ai.
Në një postim, zoti Musk tha se po paguante për disa llogari, mes tyre dhe ato të shkrimtarit King, baskebollistit James dhe aktorit Shatner.
Këngëtarja Dionne Warwick postoi në Twitter në fillim të javës se sistemi i verifikimit të faqes "ishte një rrëmujë e madhe".
"Sipas kësaj mënyre që po funksionon tani Twitter çdokush mund të ketë një profil duke pretenduar se jam unë," tha këngëtarja e cila ishte zotuar më herët se nuk do të paguante për Twitter Blue.
Të enjten, ajo e humbi simbolin identifikues.
Tek përdoruesit që kishin ende një këtë simbol, te enjten u shfaq një mesazh që tregonte se llogaria "ishte verifikuar sepse ata ishin abonuar në Twitter Blue dhe kishin verifikuar numrin e tyre të telefonit".
Verifikimi i një numri telefoni thjesht do të thotë që personi ka një numër telefoni dhe ata kanë verifikuar që ai ka qasje tek numri, por nuk konfirmon identitetin e personit.
Të enjten, simbolin identifikues nuk e humbën vetëm personat e famshëm dhe gazetarët. Shumë agjenci qeveritare, organizata jofitimprurëse dhe llogari të shërbimeve publike në mbarë botën e gjetën veten pa simbolin që dëshmonte se llogaria ishte identifikuar, duke ngritur shqetësime se Twitter mund të humbasë statusin si një platformë ku mund të merret informacion i saktë dhe i përditësuar nga burime autentike, përfshirë rastet kur ka një situatë urgjente.
Sipas një analize të Travis Brown, me bazë në Berlin, deri të enjten, më pak se 5% e llogarive të verifikuara duket se kanë paguar për t'u bashkuar me Twitter Blue.
Lëvizja e zotit Musk ka zemëruar disa përdorues të profilit të lartë dhe ka kënaqur disa figura të krahut të djathtë si dhe mbështetës të tij që mendonin se simbolet identifikuese ishin të padrejta.
Megjithatë, nuk duket të jetë një burim parash për platformën e mediave sociale që prej kohësh reklamat i ka patur burim kryesor të të ardhurave.
Sipas të dhënave të platformës digjitale Similaweb vetëm 116,000 përdorues Twitter janë abonuar në Twitter Blu përmes kompjuterave të tyre. Duke qenë se abonimi kushton nga 8-11 dollarë, duket se përfitimet nuk janë shumë të mëdha. Të dhënat nuk përfshijnë llogaritë që janë blerë përmes aplikacioneve në telefon.
Pasi bleu për 44 miliardë dollarë Twitter-in, zoti Musk është përpjekur të rrisë të ardhurat e plaformës duke nxitur njerëzit që të paguajnë për abonimin premium.
Por kjo lëvizje pasqyron gjithashtu bindjen e tij se shenja e llogarisë së verifikuar është kthyer në një simbol për një status të pamerituar për personalitetet e njohura, gazetarët apo të tjerë të cilëve llogaria u është verifikuar falas nga administrata e mëparshme e Twitter.