SHBA, raketa gjigante ‘Starship’ shpërthen disa minuta pas nisjes

Raketa e re gjigante ‘Starship’, prodhuar nga kompania ‘SpaceX’, shpërtheu të enjten në fluturimin e saj të parë provë. Shpërthimi i raketës pa ekuipazh ndodhi disa minuta pasi u ngrit nga platforma e lëshimit. Më pas ajo ra në ujërat e gjirit të Meksikës.

Kompania e ‘SpaceX’ e Elon Musk-ut, synonte ta dërgonte raketën 120 metra të gjatë, në një udhëtim rreth botës, që do të niste nga pjesa jugore e Teksasit, pranë kufirit me Meksikën. Raketa ishte pa ekuipazh apo satellitë në të.

Pritej që disa minuta pas ngritjes raketa të shkëputej nga platforma shtytëse e saj, gjë që nuk ndodhi. Raketa filloi të bjerë dhe 4 minuta nga nisja e fluturimit, shpërtheu, duke u rrëzuar në oqean.

Kompania kishte në plan ta përdorë raketën kozmike ‘Starship’ për të dërguar njerëz dhe ngarkesë në Hënë, dhe me vonë edhe në Mars. NASA pritet të përdorë një raketë të tillë, ‘Starship’, për ekipin e saj të ardhshëm që pritet të shkelë në Hënë. Tashmë njerëz të pasur, të cilët duan të vizitojnë Hënën, po rezervojnë bileta.

‘SpaceX’ tentoi ta nisë raketën në fillim të javës, por lëshimi u anulua për shkak të disa problemeve teknike.

Raketa ‘Starship’ është shumë e fuqishme dhe tejkalon me lehtësi raketat hënore të NASA-s. Ajo është projektuar që të jetë plotësisht e ripërdorshme, gjë që ka ulur në mënyrë dramatike koston e prodhimit të tyre.