Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi mediet e lidhura me pushtetin në Beograd për frikësim të qytetarëve serb para zgjedhjeve për kryetarët e katër komunave në veriun e vendit që pritet të mbahen të dielën më 23 prill, të cilat do të bojkotohen nga Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi.
Your browser doesn’t support HTML5
Megjithatë ai shfaqi shpresën se votimet do të mbahen pa pengesa.
“Ne nuk kemi informacione të cilat do të na bëjnë të mendojmë që po përgatiten pengime të këtij procesi përveç frikësimit mediatik që vjen nga Beogradi”, tha kryeministri Kurti.
Ai u bëri thirrje qytetarëve në veriun e Kosovës që të dalin në zgjedhje pasi sipas tij në veriun e vendit ka nevojë për legjitimitet demokratik dhe funksionim institucional.
“Mua më vjen keq që qytetarët serb të Kosovës i janë nënshtruar një propagande të egër të mediave nga Beogradi të cilat janë të afërta me pushtetin atje që të mos tregohen konstruktiv dhe të mos e shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar”, tha kryeministri Kurti.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha javën e kaluar se kusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe pa themelimin e tij serbët nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e organizuara nga autoritetet e Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të hapen 19 qendra votimi, nga të cila 13 do të jenë lëvizëse.
Në garë për zgjedhjet që mbahen në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, janë gjithsej 11 kandidatë prej të cilëve dy të komunitetit serb.
Dy subjekte politike serbe që do të marrin pjesë në zgjedhjet e së dielës gjatë një debati të mbajtur në Çagllavicë afër Prishtinës, me temën “Zgjedhjet lokale në veri të Kosovës – për dhe kundër”, akuzuan autoritetet në Beograd se përmes Listës Serbe po e vështirëson pluralizmin politik mes serbëve.
Slagjana Pantoviç, kandidate për kryetare të komunës së Zveçanit tha se qytetarët në veri janë pjesërisht të frikësuar dhe nuk pret dalje të madhe të votuesve.
“Shpresoj që dalja të jetë në një masë, pavarësisht se çfarë pretendojnë (Aleksandar) Vuçiç dhe Lista serbe se do të dalin dy apo 3 për qind dhe kjo nuk ka lidhje pasi që edhe në zgjedhjet e para të mbajtura në Zveçan në vitin 2013, në votime kanë marrë pjesë tetë për qind e qytetarëve”, tha ajo.
Zonja Pantoviç tha se po përballet me sulme nga mediat e Serbisë duke e akuzuar atë si tradhtare dhe që po punon për Albin Kurtin. Ajo tha se Lista Serbe ka qenë parti e përfitimit që ka punuar vetëm për interesat e saj.
“Bojkoti i tyre aktual, tani në këto zgjedhje, është një nga gjërat më të zgjuara që Lista Serbe ka bërë në jetën e saj për këto dhjetë vjet. Ata i shkatërruan gjërat, mendoj se siguruan përfitime për veten dhe trashëgimtarët e tyre, kështu që bojkoti i tyre është vërtet zgjidhja më e mirë për të gjithë serbët në Kosovë”, tha ajo.
Andrija Ignjatoviç nga Partia e serbëve të Kosovës, subjekt që kandidon në komunën e Leposaviçit shpreson që zgjedhjet të zhvillohen të qeta pasi që situata e sigurisë në veriun e Kosovës mund të ndryshojë shumë shpejt.
“Jetojmë në një mjedis të tillë ku brenda natës situata ndryshon dhe mund të ndryshojë. Deri te zgjedhjet ka edhe tre deri katër ditë kështu që për këto ditë ose vet brenda ditës së mbajtjes së zgjedhjeve mund të ndodhin disa reagime të pakëndshme të individëve apo grupeve që mund të krijojnë probleme të cilat mund të ndikojnë thellësisht që qytetarët të mos dalin në zgjedhje”, tha ai.
Zoti Ignjatoviç tha se presin nga Beogradi që në të ardhmen të jenë më konstruktiv me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në mënyrë që të mos i ndaj serbët në të dëgjueshëm dhe tradhtarë dhe duke i dhënë mbështetje vetëm Listës Serbe. Ai tha se Prishtina i organizon këto zgjedhje sipas ligjeve të saj por ende në një masë të madhe mbajtja e tyre varet nga Beogradi.
Postet e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës mbetën bosh në nëntor të vitit të kaluar kur përfaqësuesit serbë në zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës mes tensioneve për shkak të mospajtimeve ndaj një vendimi të qeverisë në Prishtinë për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Republikës së Kosovës.
Zgjedhjet u caktuan fillimisht për datën 18 dhjetor të vitit të kaluar por ato u shtynë me kërkesën e diplomatëve perëndimorë të cilët ishin përfshirë në një përpjekje për një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën palët u pajtuan më 18 mars në Ohër.