Kenianët sigurojnë fitore të dyfishtë në maratonën e Bostonit 

Kampioni në fuqi Evans Chebet fitoi sërish maratonën e Bostonit të hënën, duke ia kaluar pretendentit tjetër, Eliud Kipchoge, i cili momentalisht mban rekordin botëror. Ai e përfundoi maratonën për 2 orë, 5 minuta e 54 sekonda.

Hellen Obiri, dy herë fituese e medaljes së argjendtë olimpike në 5000 metra, fitoi garën e femrave, me 2 orë, 21 minuta dhe 38 sekonda. Amane Beriso nga Etiopia u rendite e dyta, duke e përfunduar maratonën 12 sekonda më vonë, ndjekur nga izraelitja Lonah Salpeter, me një diferencë prej shtatë sekondash.

Maratonisti Kipchoge përfundoi i gjashti, duke shënuan humbjen e tretë në një maratonë të madhe, të cilat përgjatë karrierës së tij i ka fituar 12 herë. Scott Fauble ishte amerikani më rezultatin më të mirë, duke përfunduar i shtati. Zoti Chebet është fituesi i parë i maratonave të njëpasnjëshme që kur Robert Kipkoech Cheruiyot fitoi tre herë radhazi nga viti 2006 deri më 2008.

Duke komentuar maratonën për meshkuj, atletja keniane Hellen Obiri tha se “në një maratonë çdo gjë mund të ndodhë”.

Marcel Hug nga Zvicra fitoi Maratonën për meshkujt që garuan me karrocën për persona me aftësi të kufizuar në një kohë rekord. Kjo është fitorja e tij e gjashtë në Boston. Amerikanja Susannah Scaroni fitoi titullin e saj të parë në të njejtën kategori, pavarësisht se përgjatë garës duhej të ndalonte për të shtrënguar një nga rrotat që filloi të lëkundet në trotuarin me gunga.

Kipchoge, 38-vjeç ka fituar dy medalje të arta olimpike dhe katër nga gjashtë maratonat kryesore. Maratona e Bostonit ishte e vetmja garë, në të cilën ai konkurroi pa e fituar. Ai nuk ka marrë pjesë asnjëherë në Maratonën e Nju Jorkut. Kipchoge gjithashtu e përfundoi maratonën e Vjenës brenda 2 orësh.

Duke u përballur me erën dhe shiun, Kipchoge vrapoi në grupin e garuesve të parë që nga fillimi në Hopkinton deri në sektorin tatëpjetë të rrugës Heartbreak Hill. Por për habinë e tifozëve, të rreshtuar përgjatë rrugës Boylston Street në pjesën e fundit të maratonës, ai nuk ishte në mesin e tre vrapuesve të parë.

Një numër ish-kampionësh dhe pjesëmarrësish nga 120 vende të botës dhe 50 shtetet amerikane ishin në mesin e 30 mijë vrapuese 10 vjet pas sulmit në pikën ku përfundoi gara, në të cilin u vranë tre njerëz dhe u plagosën qindra të tjerë. Në garë morën pjesë edhe 264 anëtarë të komunitetit “One Fund”, të përbërë nga njerëz të plagosur në sulm, miqtë, familjarët e tyre dhe anëtarë të organizatave bamirëse.

Qyteti shënoi përvjetorin sulmit në një ceremoni të shtunën.

Një qen robotik i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, i quajtur Stompy, patrulloi zonën para fillimit të maratonës. Fotografët ndoqën qenin robotik, duke kapur imazhet e momentit të pazakontë. Zyrtarët thanë se nuk ka patur kërcënime të njohura më parë për incidente gjatë maratonës.

Në orën 6 të mëngjesit, drejtori i garës Dave McGillivray dërgoi një grup prej rreth 20 anëtarësh të Gardës Kombëtare të Masaçusetsit, që e bën kursin çdo vit. “Dhjetë vjet më parë jeta në qytet ndaloi. Është një rikthim tepër i fortë i tij”, tha Kapiteni Kanwar Singh, 33 vjeç, nga qyteti Malden i Masaçusetsit.