Ukrainasit po luftojnë kundër agresionit rus për të mbrojtur tokat e tyre. Por në disa nga qytetet ku janë zhvilluar betejat më të ashpra, luftimet kanë filluar që nga viti 2014. Por çfarë ka mbetur në këto qytete për të mbrojtur? Korrespondentja e Zërit të Amerikës ishte në nga zonat e konfliktit, në qytetin Siversk, që njihet si varreza e vijës së frontit në lindje të Ukrainës.
Your browser doesn’t support HTML5
Këtu është varrosur Sergei Kotako. Fqinjët thonë se ai ishte një njeri i mirë, kishte punuar elektriçist para se të dilte në pension dhe ndihmonte në kujdesin për gratë e moshuara në ndërtesën ku ai banonte. Gjatë dy muajve të luftës së ashpër verën e kaluar, zona u godit me bomba thërrmuese dhe në një rast ai nuk arriti të strehohej në bunker. Banorët thonë se të gjithë e njohin njëri-tjetrin në qytet dhe të gjithë e njihnin të ndjerin Kotako. Zëri i Amerikës bisedoi me Anxhelen, banore e qytetit Siversk.
“Lufta na bashkoi. Por nuk kemi mbetur shumë. Më parë qyteti kishte rreth 11 apo 12 mijë banorë. Tani kanë mbetur rreth 2 mijë. Të gjithë mblidhemi në një vend kur na sjellin ndihma humanitare”.
Qyteti ka qenë një zonë lufte që nga viti 2014 dhe shumica e popullsisë u largua pas fillimit të agresionit rus një vit më parë. Ata që kanë mbetur varen nga ndihmat humanitare.
Katko është një prej shumë banorëve që prehen në fushat dhe kopshtet e kthyera në varreza. Varrezat e qytetit janë në vijën e parë të frontit të luftës, vetëm pak kilometra larg.
Tanket dhe artileria janë fshehur pas ndërtesave të qytetit. Zëri i Amerikës vendosi që të mos i filmonte nga rreziku se vendndodhja e tyre mund të mësohej nga pala tjetër. Shpërthimet e bombave nga të dy palët dëgjohen kudo. Galyna është banore e qytetit Siversk.
“E vetmja pyetje që kam është se çfarë kemi bërë që ta meritojmë këtë? Pse po torturojnë njerëz të zakonshëm?”
Lufta ka ngjallur ndjenjat e patriotizmit kudo në Ukrainë. Shumë e mbështesin idenë e të luftuarit deri në fitoren e plotë ose humbjen totale.
Por kaq larg në lindje, mes xhepave të njerëzve që kanë mbetur, nuk është e rastit të gjesh vendas që e mbështesin Rusinë. Shumica e njerëzve që takoi Zëri i Amerikës nuk deklarojnë publikisht se kë mbështesin. Ata nuk e dinë se kush do ta sundojë zonën në muajt apo vitet e ardhshme.
Por Galyna e thotë hapur se nuk i intereson se kush fiton nëse ndalon lufta.
“Unë dua vetëm paqe. Vetëm qetësi”, thotë banorja e qytetit të rrënuar nga lufta.