21-vjeçari Jack Teixeira, pjestar i Gardës Kombëtare Ajrore në shtetin e Masaçusets, doli të premten para gjykatësit për t’u përballur me akuzat për mbajtje dhe shpërndarje të paautorizuar në internet të të dhënave për mbrojtjen kombëtare dhe zhvendosje të paautorizuar të dokumenteve të klasifikuara.
Your browser doesn’t support HTML5
Jack Teixeira doli para një gjykatësi federal të premten në Boston. Pjestari i Gardës Kombëtare Ajrore, i akuzuar për rrjedhje në internet të të dhënave tepër sekrete të zbulimit ushtarak, u padit për marrje të paligjshme dhe publikim të dokumenteve të klasifikuara.
Byroja Federale e Hetimeve e arrestoi atë të enjten në Masaçusets ndërsa Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Gerland theksoi rëndësinë e ruajtjes së sigurisë kombëtare.
“Nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e dokumenteve në shtëpi, që është e paligjshme. Por ka të bëjë me mbajtjen e paligjshme dhe publikimin e dokumenteve. Individët që nënshkruajnë para se të kenë qasje tek dokumente të tilla, e pranojnë rëndësinë që ka ruajtja e sekreteve për sigurinë kombëtare. Synojmë të dërgojmë mesazhin se sa e rëndësishme është kjo për ruajtjen e sigurisë kombëtare”.
Ekspertë të zbulimit thonë se rrjedhja e sekreteve mund të ketë shkaktuar dëme në shkallë të gjerë për Ukrainën, duke zbuluar elementë të planeve luftarake të vendit të sulmuar nga Rusia. Ekspertët thonë se dalja e sekreteve mund të vërë në rrezik burimet dhe metodat e mbledhjes së të dhënave të zbulimit dhe dëmton marrëdhëniet me aleatët.
Lexoni edhe këtë Si e zbuloi FBI-ja të dyshuarin për rrjedhjen e informacioneve sekrete të Pentagonit?Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Doug Patteson, një ish-oficer i CIA-s dhe profesor i studimeve të sigurisë në Universitetin “New Hampshire”.
“Ukrainasit janë të shqetësuar lidhur me analizat që përmbajnë dokumentet e rrjedhura në internet mbi kapcitetet në fushëbetjë. Ata do të tregohen shumë më të kujdesshëm lidhur me të dhënat që ndajnë me ne dhe planet e tyre”.
Lexoni edhe këtë Britania: Ukrainasit po tërhiqen nga disa pjesë të BakhmutitAnalistët thonë se duket se zoti Teixeira ishte në gjendje të hiqte fizikisht dokumentet nga pajisjet tejet të sofistikuara të komunikimit dhe ti fotografonte ato. Analistët e zbulimit thonë se qeveria duhet të marrë masa më të rrepta që kjo të mos ndodhë përsëri.
“Fakti që ai mundi t'i nxirrte këto dokumente nga pajisjet e sofisitikuara dhe t’i merrete në shtëpi, mund të kërkojë që individët të kontrollohen kur dalin nga zyra të tilla”, thotë Kenneth Gray i cili më parë ka punuar për Byronë Federale të Hetimeve.
Doug Patterson ka qënë punonjës i Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA.
“Si dhe pse i printoi; si i nxori nga objekti? Duket se i kishte në xhep. Çfarë mekanizmash mund të futen në punë për t’u siguruar që kjo të mos ndodh në të ardhmen?”
Detyra e të dyshuarit Teixeira ishte të ndihmonte në grumbullimin e të dhënave të zbulimit për raporte të ndryshme. Nëse gjendet fajtor, ai mund të dënohet deri me 15 vjet burg.