Në një kohë kur janë shënuar rreth 14 muaj që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Dhoma e Lartë e parlamentit të Rusisë miratoi të premten me urgjencë një projektligj, që u mundëson autoriteteve të lëshojnë njoftim elektronik për thirrjen për mobilizim të rekrutëve dhe rezervistëve.
Votimi nga ana e Këshillit të Federatës ishte hapi i fundit i nevojshëm përpara se sa projektligji të dërgohet tek për firmë tek Presidenti Vladimir Putin, i cili pritet ta miratojë së shpejti.
Ligjvënësit në Dhomën e Ulët të Parlamentit që njihet si Duma Shtetërore, e miratuan paketën ligjore ditën e martë. Projektligji iu nënshtrua një procedure të përshpejtuar miratimi, në një kohë kur ushtria ruse po përgatitet për një kundërofensive nga ana e ushtrisë së Ukrainës. Kievi dhe aleatët perëndimorë ka lënë të kuptohet se sulmi mund të nisë për çështje javësh.
Sipas rregullave aktuale të shërbimit ushtarak rus rekrutët dhe rezervistët duhet të njoftohen personalisht për mobilizim të tyre në ushtri.
Në të kaluarën, shumë rusë e shpërfillën njoftimin për mobilizim dhe shpesh adresat e banimit që u kishin dhënë autoriteteve, ishin të pasakta. Projektligji i propozuar synoi t’i japë zgjidhje kësaj çështjeje.
Sipas projektligjit të ri, njoftimet e lëshuara nga zyrat vendore të rekrutimit ushtarak do të vazhdojnë të dërgohen me postë, por do të konsiderohen të vlefshme që nga momenti i publikimit në një portal shtetëror për shërbimet elektronike.
Ushtarëve të shërbimit aktiv dhe rezervistëve të cilët nuk paraqiten pas njoftimit do t’u ndalohet të largohen nga Rusia, do t’u pezullohen lejet e drejtimit të automjeteve dhe do t’u ndalohet të shesin apartamente apo prona të tjera në posedim të tyre.
Kritikët e Kremlinit dhe aktivistët e të drejtave të njeriut e cilësuan projektligjin si një hap drejt një "kampi të burgosurish digjital", që u jep kompetenca të pashembullta zyrave të rekrutimit ushtarak.
Gjatë shqyrtimit të projektligjit ditën e mërkurë nga Këshilli i Federatës, Lyudmila Narusova, e veja ish-kryebashkiakut të Shën Petersburgut Anatoli Sobchak, që këshillonte zotin Putin, ishte e vetmja anëtare e Dhomës së parlamentit që foli kundër paketës.
Zonja Narusova tha se projektligji bie ndesh me kushtetutën e vendit dhe një sërë ligjesh dhe kundërshtoi me forcë miratimin me nxitim të tij.
Miratimi me shpejtësi i ndryshimeve ligjore nxiti frikën se qeveria do të nisë një fushatë tjetër mobilizimi pas asaj që Presidenti Putin urdhëroi në vjeshtën e vitit 2022.
Autoritetet kanë thënë se nuk është planifikuar ndonjë mobilizim tjetër. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov theksoi se projektligji i propozuar ishte i nevojshëm për të përmirësuar të metat e sistemit të vjetëruar të thirrjeve në ushtri, që dolën në pah gjatë mobilizimit të pjesshëm në vjeshtën e kaluar.
Zoti Peskov tha të mërkurën se miratimi i shpejtë i projektligjit u nxit nga "nevoja për të përmirësuar sistemin e të dhënave të shërbimit ushtarak".
"Kishte shumë rrëmujë në zyrat e rekrutimit ushtarak," tha ai në një konferencë përmes telefonit me gazetarët. “Qëllimi i projektligjit është të pastrojë këtë rrëmujë dhe ta bëjë sistemin modern, efektiv dhe të dobishëm për qytetarët”.
Në shtator, Presidenti Putin bëri thirrje për mobilizim të 300,000 rezervistëve pasi një kundërofensive ukrainase i zmbrapsi forcat ruse nga zona në lindje të vendit.
Urdhri i mobilizimit shkaktoi një largim masiv të burrave nga Rusia, shifër që u vlerësua se arrinte në qindra mijëra të larguar.