Presidenti Joe Biden ndodhet në Belfast, ku po shënohet 25 vjetori i marrëveshjes së paqes të vitit 1998, e cila i dha fund konfliktit disa dekadash në Irlandën e Veriut mes unionistëve pro-britanikë dhe nacionalistëve që donin bashkimin me Irlandën. Por marrëveshja është komplikuar nga vendimi i Britanisë për të dalë nga Bashkimi Evropian.
Your browser doesn’t support HTML5
Presidenti Joe Biden shpesh përmend rrënjët e tij irlandeze. Por ky është një udhëtim pune, thotë ai.
Para se të nisej për në Irlandën e Veriut, Presidenti Biden theksoi rëndësinë e marrëveshjes së vitit 1998, që vendosi paqen në ishull, pas dekadash konflikti midis nacionalistëve kryesisht katolikë, të cilët donin të bashkoheshin me Irlandën fqinje dhe protestantëve, që donin të qëndronin nën sundimin e Britanisë së Madhe.
“Duam të sigurohemi që Marrëveshjet Irlandeze dhe Marrëveshjet e Uindsorit të mbeten në fuqi. Ruajtja e paqes, kjo është gjëja kryesore”, tha ai.
Paqja u vu në provë pas referendumit të vitit 2016 për daljen e Britanisë së Madhe, duke përfshirë Irlandën e Veriut, nga Bashkimi Evropian.
Analistët thonë se ka vullnet dypartiak në Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar ishullin irlandez të jetë i suksesshëm. Ata theksojnë se vendi më i pasur në botë mund të inkurajojë stabilitetin në dy mënyra, duke i kushtuar vëmendje zhvillimeve atje dhe përmes ndihmës financiare.
“Mund të ketë investime në rajon, të dërguar të posaçëm që vazhdojnë angazhimin atje dhe duhet të bëhen përpjekje për ndërtimin e besimit. Pas Marrëveshjes së të Premtes së Mirë, ne të gjithë menduam se paqja ishte arritur. Në realitet, ai ishte momenti për të nisur me intensitet të lartë përpjekjet për ndërtimin e paqes”, thotë Donatienne Ruy nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Situata është përkeqësuar që nga referendumi për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe Marrëveshja e Uindsorit, për të cilën Presidenti Biden tha se nuk ka fituar mbështetje nga partitë politike pro-britanike në Irlandën e Veriut. Ato kanë bojkotuar qeverinë për më shumë se një vit, duke kërcënuar marrëveshjen delikate për ndarjen e pushtetit, të arritur pas marrëveshjes së paqes të vitit 1998.
Udhëheqësi i Irlandës së fundmi shpjegoi rreziqet me të cilat po ndeshet marrëveshja.
"Ne duam të shohim rikthimin e institucioneve të dala nga Marrëveshja e së Premtes së Mirë, në mënyrë që ato të mund të ofrojnë shpresë për brezin e ri. Dhe ne do të donim të shihnim popullin e Irlandës së Veriut të përfitonte nga mundësitë e pasura ekonomike që i disponon", tha kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar.
Por paqja është një proces, thotë analistja Ruy. Dhe deri më tani, ka patur përparim.
“Unë ende kam shpresë për zhvillime pozitive, sepse po shohim një shfaqje dhe sukses në rritje të partive josektare në sferën politike. Pra, ne mund të ishim në një pozicion më të mirë, por me të vërtetë kemi bërë përparime të mëdha që nga viti 1998”, thotë ajo.
Për Presidentin Biden, kjo vizitë ka një histori personale. Ashtu si shumica e familjeve amerikane, edhe familja Biden erdhi në Shtetet e Bashkuara nga një kontinent tjetër. Qyteti Ballina ishte fillimi i historisë së tyre amerikane.
“Irlandezët e larguan nga kjo zonë gjatë krizës së urisë. Ata shkuan në Scranton dhe punuan në minierat e qymyrit dhe në hekurudha. Ato ishin punë vërtet të rënda, por ata i bënë me krenari dhe entuziazëm për të siguruar një jetë më të mirë. Tani ne kemi një djalë të qytetit Ballina, një paraardhës të tij, president të Shteteve të Bashkuara”, thotë Mark Duffy, udhëheqësi i Këshillit të qytetit Ballina.
Të premten, Presidenti Biden do të flasë para banorëve të këtij qyteti të vogël. Por fjalët e tij do të dëgjohen në mbarë botën.