Shtëpia e Bardhë e shqetësuar për rrjedhje të tjera të dokumenteve sekrete

Shtëpia e Bardhë pohoi që është e shqetësuar nga mundësia e rrjedhjes së dokumenteve të tjera sekrete në të ardhmen pas publikimit të një morie dokumentesh të klasifikuara në rrjetet sociale kryesisht për luftën në Ukrainë. Hetimet për burimin e rrjedhjes po vazhdojnë, dhe zyrtarët e kanë bërë të qartë se ato paraqesin një rrezik shumë serioz për sigurinë kombëtare dhe mund të bëhen burim dezinformatash, pasi disa prej tyre janë ndryshuar.

Your browser doesn’t support HTML5

Shtëpia e Bardhë e shqetësuar për rrjedhje të tjera të dokumenteve sekrete

Shtëpia e Bardhë thotë se ekziston mundësia e publikimit të më shumë dokumenteve të klasifikuara për luftën në Ukrainë, ndërsa autoritetet amerikane po hetojnë se kush qëndron prapa rrjedhjes së dokumenteve sekrete që tanimë janë publikuar në rrjete sociale.

“Nuk e dimë se kush është përgjegjës për këtë dhe nuk e dimë nëse kanë më shumë dokumente që synojnë t’i publikojnë. Kjo është një çështje shqetësuese për ne”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Zoti Kirby tha se autoritetet amerikane ende po përpiqen të përcaktojnë vlefshmërinë e dokumenteve, por e kanë kuptuar se të paktën disa nga to janë ndryshuar.

Një nga këto dokumente thotë se numri i viktimave ruse shkon nga 16,000-17,500 ndërsa forcat ukrainase kanë humbur deri në 71,000 ushtarë. Gjenerali Mark Milley, Shefi i Shtabit të Ushtrisë amerikane, në nëntorin e kaluar ka thënë se Rusia ka humbur mbi 100,000 ushtarë po aq sa ka humbur edhe Ukraina, shifra këto që janë rritur deri më tani.

“Departamenti i Drejtësisë po kryen një hetim penal për këtë. Unë mendoj se çdo amerikan mund ta kuptojë se për të mbrojtur këtë vend çdo ditë, një nga gjërat që duhet të mbrojmë është informacioni dhe mënyra se si ne e mbledhim informacionin. Unë mendoj se ju mund të kuptoni pse të gjithë e kanë marrë shumë seriozisht bërjen publike të këtyre dokumenteve”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Lexoni edhe këtë Pentagoni: “kërcënim serioz” bërja publike e dokumentave të klasifikuara

“Një ekip i Pentagonit vazhdon të shqyrtojë dhe vlerësojë vërtetësinë e dokumenteve të fotografuara që po qarkullojnë në rrjete sociale dhe që në disa raste duket se përmbajnë materiale të ndjeshme dhe tepër sekrete. Këto foto duket se tregojnë dokumente të ngjashme me ato që ne përdorim për informacionin ditor që u japim udhëheqësve tanë të lartë mbi operacionet lidhur me Ukrainën dhe Rusinë, si dhe përditësime të tjera të inteligjencës. Disa nga këto imazhe duket se janë ndryshuar”, thotë Chris Meagher, ndihmës i Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Lexoni edhe këtë SHBA në kërkim të burimit që publikoi dokumentet sekrete  

Hulumtues, që janë të specializuar në gjurmimin e mediave sociale, përfshirë organizatën “Bellingcat”, thonë se dokumentet mund të kenë qarkulluar për javë të tëra në internet në platformën e diskutimit Discord, para se të publikoheshin në rrjetin social Twitter.

Sipas Pentagonit, pasi është informuar për këto publikime, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin kontaktoi me aleatët, ka mbajtur takime të përditshme për të vlerësuar dëmin dhe ka krijuar një grup jo vetëm për të vlerësuar shtrirjen e informacionit të humbur, por edhe për të shqyrtuar se kush ka qasje në to.