Presidenti francez Emmanuel Macron thotë se Evropa nuk ka interesa në thellimin e krizës mbi Tajvanin dhe duhet të ndjekë një strategji të pavarur si nga Uashingtoni ashtu edhe nga Pekini, thuhet në komentet e publikuara të dielën në gazetat franceze “Les Echos” dhe “Politico”.
Zoti Macron sapo është kthyer nga një vizitë shtetërore tre-ditore në Kinë, ku u prit me ngrohtësi nga Presidenti Xi Jinping.
Të shtunën Kina filloi manovra ushtarake përreth Tajvanit, si reagim ndaj takimit të mërkurën të Presidentes Tsai Ing-wen të Tajvanit me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Kevin McCarthy në Kaliforni.
Kina e sheh Tajvanin, e qeverisur në mënyrë demokratike, si territorin e saj dhe nuk ka hedhur poshtë mundësinë e përdorimit të forcës për ta vënë ishullin nën kontrollin e saj. Qeveria e Tajvanit i kundërshton me forcë pretendimet e Kinës.
Evropa nuk duhet ta përshpejtojë konfliktin, por me kalimin e kohës të formojë qëndrimin e saj, si një pol i tretë mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, citonin gazetat franceze “Les Echos” dhe “Politico” të ketë thënë Presidenti Macron gjatë vizitës në Kinë.
“Gjëja më e keqe do të ishte të mendosh se, ne evropianët duhet të bëhemi ndjekës në këtë temë dhe të përshtatemi me ritmin amerikan ose një reagim të tepruar kinez”, citohet të ketë thënë zoti Macron.
Evropa duhet ta financojë më mirë industrinë e mbrojtjes, zhvillojë energji bërthamore dhe të rinovueshme dhe të zvogëlojë varësinë nga dollari amerikan, për të kufizuar varësinë nga Shtetet e Bashkuara, citohet të ketë thënë zoti Macron për dy gazetat franceze.
Lexoni edhe këtë Macron thirrje Pekinit të ndikojë tek MoskaPresidenti Macron dha një intervistë të përbashkët për të dy gazetat gjatë udhëtimit me avion nga Pekini drejt qytetit Guangzhou.
Të premten, një këshilltar i zotit Macron u tha gazetarëve në qytetin Guangzhou se udhëheqësit Xi dhe Macron zhvilluan një diskutim "të dendur dhe të sinqertë" mbi çështjen e Tajvanit.
“Presidenti mendon se duhet të tregohemi të kujdesshëm që të mos ketë aksidente apo të përshkallëzohen tensionet (që mund të bëjnë) që Kina të sulmojë”, tha këshilltari i presidentit francez.
Presidenti Macron shkoi në Kinë me një delegacion prej 50 biznesmenësh, përfshirë firmat Airbus dhe prodhuesin e energjisë bërthamore EDF, që nënshkruan marrëveshje gjatë vizitës.