Në Shqipëri, vëzhguesit ndërkombëtarë të ODIHR-it (Zyra e OSBE për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut) nisën sot misionin e monitorimit të zgjedhjeve vendore të 14 majit. Misioni do të drejtohet nga ambasadorja Audry Glover, e cila ka qenë në krye të vëzhguesve ndërkombëtarë, në disa zgjedhje të zhvilluara në Shqipëri. Së bashku me të janë dhe 13 ekspertë zgjedhjesh, ekspertë politikë, ligjorë dhe analistë mediash, ndërsa 24 vëzhguesë afatgjatë do të shpërndahen në të gjithë vendin duke nisur që nga java e ardhshme. ODIHR planifikon të kërkojë nga vendet anëtare të OSBE-së dhe 300 vëzhguesë të tjerë që do të duhet të angazhohen në ditën e zgjedhjeve dhe në procesin e numërimit të votave.
Misioni shpjegoi të prenten se “vëzhguesit do të monitorojnë nga afër procesin e regjistrimit të votuesve, aktivitetet e fushatës, punën e administratës zgjedhore dhe organeve përkatëse qeveritare, legjislacionin lidhur me zgjedhjet dhe zbatimin e tij, si dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të lidhura me zgjedhjet. Si pjesë e vëzhgimit, misioni do të monitorojë edhe mbulimin mediatik të fushatës”.
Raporti i ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, vuri në dukje ndër të tjera “avantazhet e rëndësishme që Partia qeverisëse përfitoi nga të qenit pushtet, përfshirë edhe përmes kontrollit të administratave lokale dhe shpërdorimit të burimeve administrative”.
Ambasadorja Glover nga ana e saj shpjegoi se ky do të përqendrohet puna e vëzhguesve. “Do i kushtojmë rëndësi punës së administratës zgjedhore dhe organeve qeveritare, si dhe zbatimit të rekomandimeve të lëna më parë nga ODIHR. Do t’i kushtojmë vëmendje po ashtu mjedisit të fushatës, pjesëmarrjes së grave në procesin zgjedhor, si dhe pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuara dhe përfaqësimin e pakicave kombëtare”, tha ajo duke shtuar se “do të shohim edhe regjistrimin e zgjedhësve dhe kandidatëve, dhe si do raportojë media dhe a do të pengohet ajo gjatë raportimit. Do të shohim me kujdes financimin e fushatave zgjedhore dhe zgjidhjen e konflikteve në lidhje me zgjedhjet. Implementimi i ligjit është i rëndësishëm, por varet nga vullneti për ta zbatuar atë”.
Sipas ambasadores Glover, që procesi të ketë integritet “zgjedhësit do të duhet te mund të bëjnë zgjedhje reale të mirëinfomuar mes kandidatëve të ndryshëm. Kandidatët duhet të luajnë në kushte të barabarta dhe votuesit duhet të kenë të drejtën universale për të votuar. Zgjedhësit duhet të kenë mundësinë të votojnë të lirë, të fshehtë, të sigurt dhe vota të numërohet korrekt”, nënvizoi ajo.
Lexoni edhe këtë Intervistë me ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri KimNjë raport paraprak parashikohet të publikohet në periudhën e ndërmjetme deri në ditën e votimit. Një ditë pas zgjedhjeve, një deklaratë e gjetjeve paraprake do të paraqitet në një konferencë për shtyp dhe ODIHR do të publikojë një raport përfundimtar që do të përmbledhë proçesin e vëzhgimit dhe do të bëjë rekomandime për përmirësime disa muaj pas përfundimit të procesit zgjedhor.