Në Shqipëri, qeveria miratoi sot skemën e re të pagave në sektorin publik e cila parashikohet të zbatohet në dy faza, brenda vitit të ardhshëm. Kryeministri Edi Rama tha se një rritje të menjëhershme do të ketë për mësuesit, për ushtarakët dhe strukturat e policisë, si dhe për mjekët dhe infermierët. Për pjesën tjetër, skema e re do të hyjë në fuqi pasi parlamenti të miratojë projektligjin e qeverisë. Menjëherë më pas do të ketë një rritje të parë, ndërsa prillin e ardhshëm do të realizohet rritja e dytë e pagave.
Administrata publike pritet të ketë një rritje nga 22 deri 61 përqind brenda vitit 2024. Pjesa më e madhe e shtesës së pagës parashikohet të ndodhë pas miratimit nga parlamenti, ndërsa pjesa e mbetur, vitin e ardhshëm. Administrata vendore, në të kundërtën, do të ketë një rritje prej të paktën 6 mijë lekësh në fazën e parë, dhe një shtesë më të lartë në fazën e dytë, në 2024-ën.
Sipas dokumentit të qeverisë, të parë nga Zëri i Amerikës, një rritje e fortë është parashikuar dhe për funksionarët e lartë shtetërorë. Ajo shkon deri në 90 përqind për deputetët (297.500 lekë në muaj), mbi 70 përqind për kryetarin e parlamentit dhe kryeministrin, (339.125 lekë në muaj), së bashku me zëvendësat e tyre, e mbi 80 përqind për ministrat ( 318.750 lekë në muaj). Paga më e lartë mbetet ajo e Presidentit të Republikës (425 mijë lekë në muaj) e cila rritet me 65 përqind.
Sipas qeverisë, kjo ndërhyrje do të sjellë një rritje prej gati 60 përqind të pagës mesatare bruto e cila do të shkojë në nivelin e 900 eurove në muaj. Sipas autoriteteve kjo ndërhyrje vjen si përgjigje ndaj problemit të pagave jo konkurruese që ka sektori publik, krahasuar me sektorin privat, por dhe vendet e rajonit, fenomenit largimit të punonjësve me eksperiencë, dhe vështirësive për rekrutimin e stafeve të kualifikuara.
Skema e re, parashikohet t’i kushtojë buxhetit të shtetit 38 miliardë lekë ose afro 340 milionë euro. Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj siguroi se ky shpenzim do të mbulohet duke ruajtur konsolidimin fiskale dhe parametrat kryesorë të politikës fiskale, dhe se reduktimi i borxhit do të vijojë.
Lexoni edhe këtë Shqipëri, rritja e pagës minimale, ekspertët: E pakonsultuar me biznesin