Rusia dhe Serbia janë evidentuar si burimet kryesore të disinformimit në Ballkanin perëndimor. Ky është përfundimi i një konference rajonale, që zhvillua sot në Tiranë nga organizatat mediatike të verifikimit të fakteve nga gjashtë vendet e këtij rajoni.
Sipas tyre, rrjeti i disinformimit në rajon ka burim kryesor Rusinë, e cila shpërndan lëndën e saj në Serbi, dhe kjo e fundit përhap më tej në vendet e Ballkanit Perëndimor lajmet dhe shkrime disinformuese.
Your browser doesn’t support HTML5
Konferenca rajonale kundër disinformimit në Ballkanin Perëndimor, ku morën pjesë organizata partnere nga vendet e rajonit, u organizua nga Qendra mediatike Faktoje. Në konferencë u theksua se një ndikim të fortë mbi median serbe, ushtrojnë Rusia dhe Kina.
Rusia ka disa media që transmetojnë dhe përkthejnë në serbisht, të cilët janë mjetet më të fuqishme të propagandës ruse, u theksua nga pjesëmarrësit. Kjo propagandë shpërndahet gjithandej nëpër tabolidë dhe botime serbe. Disinformimi rus nis me luftën në Ukrainë dhe vazhdon tek raportet e Serbisë me BE-në.
Ndër faktorët që lehtësojnë përhapjen e disinformimit rus në Serbi u theksua përqëndrimi i mediave në duart e pak pronarëve privatë, që janë të lidhur me pushtetin, si dhe disa tabloide që financohen drejtpërdrejt nga shteti.
Kosova i mban Serbinë edhe Rusinë si burime kryesor të disinformimit. Zyrtarët serbë janë burimi kryesor i disinformimit mbi Kosovën, pohuan autorët.
Propaganda ruse dhe serbe riprodhohet nga mediat kosovare që publikojnë deklarata e politikanëve pa verifikuar vërtetësinë e tyre.
Temat kryesore të disinformimit janë tensionet në kufirin Kosovë - Serbi, çdo lëvizje e policisë së Kosovës në kufi, shqetësimi mbi Ballkanin e Hapur.
“Për fat të keq, ka disa media që i përhapin deklaratat zyrtare pa i verifikuar të dhënat, por shumë media të tjera profesionale, që bëjnë kujdes. Veçori e Kosovës është se banorët janë të ndarë edhe në mediat që ndjekin. Qytetarët serbë informohen më së shumti prej mediave serbe, prandaj ndikimi rus e serb është shumë më i madh tek ata. Mediat ruse kanë një prani shumë të madhe tek komuniteti serb në veri të Kosovës”, thotë Fitim Gashi, përfaqësues i Qendrës Sbunker në Kosovë.
Në Malin e Zi ndikimi rus vjen edhe përmes kishës ortodokse dhe lidhjeve të partive politike, ndërsa radio dhe tabloide janë të lidhura me njerëz të afërt të presidentit serb, u theksua në konferencë.
Politikanët vendorë përhapin disinformim mbi çështje etnike dhe të pakicave, duke lënë mënjanë probleme të vërteta si varfëria, korrupsioni, integrimi europian, pohuan autorët. U theksua po ashtu se Kina ka ndikim ekonomik në Mal të Zi dhe po përpiqet të ngrejë edhe ndikimin kulturor.
Ndërsa në Maqedoninë e Veriut mediat janë të polarizuara dhe mbajnë krahët e partive që mbështesin. Portalet e lajmeve nuk kanë pronësi të qartë, dhe botojnë shkrime pa emra, gjë që e bën shumë të lehtë përhapjen e disinformimit, pohuan autorët.
Shkrimet anti-BE dhe anti-NATO, sipas tyre, synojnë shtimin e euroskeptikëve dhe uljen e besimit tek aleanca veriatlantike. Ndikimi kinez po shfaqet me investime direkte në ekonom, infrastrukturë, media dhe bashkëpunime universitare.
“Në Maqedoninë e Veriut burimi i disinformatave janë portalet dhe platformat online, të cilat pretendojnë se janë mediume, por nuk i plotësojnë kushtet për të qenë të tilla, sepse nuk kanë pronësi, nuk kanë autorë, dhe e keqpërdorin mundësinë e teknologjisë për të shpërndarë disinformata malinje me burim dhe tendencë të propagandës ruse që përcillen nga Serbia, duke u përkthyer në mediat maqedonase dhe duke u përhapur në rrjetet sociale”, thotë për Zërin e Amerikës, Elida Zylbeari, përfaqësuese e Fondacioni Metamorphosis në Maqedoninë e Veriut.
Në Bosnje Hercegovinë shumica e mediave kanë pronarë privatë njerëz të lidhur me pushtetin, dhe ndikimi nga mediat serbe është burimi kryesor i disinformimit. “Transmetuesi publik i Republika Srpska shërben hapur si një krah i propagandës ruse”, pohuan autorët. Ashtu si në Kosovë edhe në Bosnje Hercegovinë vihet ndikimi kulturor i Turqisë.
Edhe Shqipëria është nën ndikimet e huaja të disinformimit. Ndikimi kinez nuk është domethënës, ndërsa ndikimi rus është i kufizuar, kryesisht në disinformimet për luftën në Ukrainë dhe ndodhin për shkak të titujve sensacionalë, pohuan autorët. Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të pranishme po ashtu në lajmet e Shqipërisë.
“Aktorë kryesorë në prodhimin dhe përhapjen e disinformimit janë kryesisht partitë politike, zyrtarët shtetërorë dhe mediat online”, thotë Klodiana Kapo, drejtuese e Qendrës Faktoje në Shqipëri.
Irani vazhdon disinformimin drejt Shqipërisë për shkak të strehimit të grupit opozitar iranian MEK. Kjo kulmoi me sulmin destruktiv kibernetik kundër qeverisë së Shqipërisë nga Irani vitin e kaluar. Turqia vazhdon në Shqipëri të ngrejë ndikimin kulturor dhe politik përmes lidhjeve të shtetit turk me media online e portale, ku është vështirë të kuptohet më shumë për shkak të mungesës së transparencës.
Organizatat partnere nga vendet e Ballkanit perëndimor po punojnë prej më shmë se një viti për të identifikuar burimin, temat dhe mënyrat e shpërndarjes së disinformimit në Ballkanin Perëndimor, të nxitura nga ndikime të jashtme negative.
Tema kryesore e disinformimit janë lufta në Ukrainë, Pandemia Covid dhe vaksinimi, tensionet Kosovë - Serbi, ndikimi rus në politikë-bërje, sulmet kibernetike në sistemet shtetërore të Ballkanit perëndimor, shkrimet anti-BE dhe anti-NATO si dhe Ballkani i Hapur.