Akrobati francez Philippe Petit, shfaq talentin e tij në Uashington 

The French high-wire artist Philippe Petit

Akrobati i guximshëm francez Philippe Petit tregoi aftësitë e tij për të sfiduar gravitetin në Muzeun Kombëtar të Ndërtimit në Uashington. 73-vjeçari që ende ecën mbi tel pa rrjetë sigurie apo mbrojtje tjetër, foli me korrespondentin e Zërit të Amerikës, Maksim Moskalkov.

Your browser doesn’t support HTML5

Akrobati francez Philippe Petit, shfaq talentin e tij në Uashington

Philippe Petit është 73 vjeç, por mosha nuk e ka bërë atë më të drojtur. Akrobati i famshëm francez, i cili u shfaq para publikut për herë të parë në Uashington kohët e fundit, eci mbi tel 15 metra mbi sipërfaqe në Muzeun Kombëtar të Ndërtimit. Ekipit të tij iu desh rreth një javë për të instaluar telin 30 metra të gjatë, pranë tavanit të muzeut.

"Kjo ndërtesë është e mahnitshme, është një nga vendet më të bukura ku kam intrepretuar ndonjëherë."

Ai mbajti dy shfaqje në qytet në fund të marsit.

Një shfaqje ishte për të rriturit dhe synimi ishte të mblidhte fonde për ekspozitën e ardhshme të muzeut, “Building Stories”, e cila hapet për publikun në nëntor. Shfaqja e dytë ishte për nxënësit e shkollave fillore të zonës.

"Më pëlqeu! Por u habita që nuk bëri salto! Doja që të bënte një salto", thotë nxënësja Faith Fuchs.

Në karrierën e tij prej disa dekadash, akrobati Petit ka ecur mbi tel në disa nga ndërtesat më të larta në glob. Në vitin 1971, në shfaqjen e tij të parë, ai përshkoi hapësirën midis dy kullave të katedrales Notre Dame të Parisit.

Në vitin 1973, ai përshkoi portin e Sidneit.

Ai është ndoshta më i njohur për shfaqje e vitit 1974 në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork, kur ai eci - pa marrë leje nga autoritetet e qytetit - midis dy kullave ndërsa spektatorët shikonin duke mbajtur frymën gati 400 metra më poshtë.

"Mezi prisja që ta bëja një gjë të tillë! Nuk e dija se çfarë po bëja, gjithçka ishte e improvizuar! Mendova ta përshkoja një herë, por jo e bëra disa herë. Qëndrova në ajër për 45 minuta, nuk ishte planifikuar!"

Ai u arrestua sapo zbriti në tokë i sigurt - por u lirua në këmbim të një shfaqjeje falas për fëmijët në Central Park të Nju Jorkut.

Sot, gati gjysmë shekulli pas asaj shfaqjeje të famshme, ai ende ecën mbi tel çdo ditë – megjithëse tani të gjitha shfaqjet e tij janë të planifikuara dhe me leje.

"Bëj afërsisht tre orë praktikë, një orë e gjysmë ngrohje dhe lojra akrobatike dhe një orë e gjysmë mbi një litar. Po shkruaj autobiografinë time dhe dua të vazhdoj të jap shfaqje nëpër botë. Nuk do të dal kurrë në pension!"

Akrobati Petit ka shkruar libra ku përshkruan përvojën e tij dhe procesin e gjatë të përgatitjes. Rreth tij janë bërë disa filma, përfshirë "Man on Wire", i cili fitoi një çmim Oscar.