Akuzat penale me të cilat përballet zoti Donald Trump në Nju Jork rrjedhin nga tre raste të veçanta, ku ish-presidenti dhe bashkëpunëtorët e tij akuzohen se kanë bërë pagesa për të blerë heshtjen e tre individëve gjatë fushatës së tij presidenciale në vitin 2016.
Pagesat, thotë aktpadia, u bënë për të blerë heshtjen e dy grave që pretendojnë se kanë patur marrëdhënie intime me zotin Trump, shumë vite më parë, dhe një pagesë për të blerë heshtjen e një punonjësi të kullës Trump i cili pretendonte se zoti Trump kishte një fëmijë në një lidhje jashtëmartesore.
Zoti Trump është akuzuar për 34 vepra penale të falsifikimit të të dhënave të biznesit. Më herët të martën ai u dorëzua pranë autoriteteve në Nju Jork dhe deklaroi se ishte i pafajshëm ndaj të gjitha akuzave.
Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, tha gjatë një konference shtypi se rasti historik i zyrës së tij kundër ish-Presidentit Donald Trump synon të “sigurojë që të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”, ndërsa bëri të njohura akuzat.
RASTI I PUNONJËSIT NË KULLËN TRUMP
Fillimisht, prokurori Bragg foli për rastin që përfshinte një ish-portier të kullës Trump, i cili ishte paguar 30,000 dollarë pasi ai pretendonte se kishte të dhëna që zoti Trump kishte një fëmijë në një lidhje jashtëmartesore.
Lexoni edhe këtë Republikanët shprehin mbështetje për zotin Trump pas ngritjes së akuzave penaleIsh-punonjësi Dino Sajudin u pagua nga kompania mëmë e tabloidit “National Enquirer” në këmbim të nënshkrimit mbi të drejtat e përhershme (të lajmit të shitur nga ai) lidhur me thashethemet se presidenti kishte një fëmijë me një punonjëse në “Trump World Tower”, një gradaçielë në pronësi të zotit Trump që ndodhet pranë Kombeve të Bashkuara.
Në bazë të kontratës mes zotit Sajudin dhe firmës “American Media Inc.”, zoti Sajudin nuk mund të flasë për thashethemet apo kushtet e marrëveshjes së tij ose përndryshe duhet të paguajë një milion dollarë.
Në një intervistë me agjencinë e lajmeve Associated Press në gusht të vitit 2017, gruaja në qendër të thashethemeve mohoi të kishte pasur lidhje me zotin Trump.
KAREN MCDOUGAL
Prokurori përmendi gjithashtu edhe rastin e ish-modeles së revistës “Playboy”, Karen McDougal, e cila mori 150,000 dollarë nga firma “American Media Inc.”, pasi pretendoi se kishte një lidhje 10-mujore me zotin Trump në mesin e viteve 2000.
Paratë ishin për të blerë të drejtat e lajmit nga aktorja McDougal, por në fakt që të mos publikohej kurrë, një praktikë e njohur si “kap dhe asgjeso”, tha prokurori.
Kompania mëmë e tabloidit “National Enquirer” e ka pranuar se pagesat janë bërë posaçërisht për të ndihmuar fushatën presidenciale të zotitTrump.
Prokurori Bragg tha se zoti Trump i tha “në mënyrë eksplicite” avokatit Michael Cohen, i cili më parë punonte për Organizatën Trump, që të rimbursonte me para kesh firmën “American Media Inc.”. Më pas, avokati Cohen i sugjeroi zotit Trump se pagesa duhet të bëhej nga një kompani guaskë.
Marrëdhëniet e supozuara mes aktores McDougal dhe zotit Trump u mbajtën të fshehta deri pas publikimit të një shkrimi nga gazeta “Wall Street Journal”, disa ditë përpara zgjedhjeve të vitit 2016. Zoti Trump i ka hedhur poshtë pretendimet e saj.
STORMY DANIELS
Rasti i tretë përfshin aktoren e filmave pornografikë, Stormy Daniels, e cila u pagua 130,000 dollarë në këmbim të heshtjes së saj, për siç thuhet, një takim intim me zotin Trump në Liqenin Taho të Nevadës në vitin 2006. Trump i ka hedhur poshtë akuzat.
Prokurori Bragg tha se 12 ditë përpara zgjedhjeve më 8 nëntor 2016, avoakti Cohen i kishte dërguar 130,000 dollarë avokatit të aktores Daniels duke përdorur një korporatë guackë të financuar përmes një banke në Manhatan.
Aktorja e filmave pornografikë, emri i vërtetë i së cilës është Stephanie Clifford, u pagua pasi njoftoi se ishte e gatshme të fliste ose me tabloidin “National Enquirer” ose në televizion, për të konfirmuar takimin intim.
Në prill të vitit 2018, zoti Trump këmbënguli para gazetarëve në avionin presidencial “Air Force One” se ai nuk kishte dijeni për pagesën e bërë për aktoren Daniels përmes avokatit Cohen.
Por prokurori Bragg tha të martën, gjatë konferencës së shtypit, se zoti Trump e rimbursoi avokatin Cohen pas fitores së tij në vitin 2016 me para nga dy burime: një trust që mbante asetet e Organizatës Trump dhe nga llogaria e tij personale bankare.
TRUMP NË FLORIDA
Ish-Presidenti Donald Trump thotë se seanca e së martës në gjykatë “ishte shokuese për shumë njerëz pasi nuk kishte asgjë të re, dhe për rrjedhojë, pa baza”. Zoti Trump shkroi në rrjetin social ndërsa po udhëtonte me avion nga Nju Jorku drejt rezidencës së tij në Florida.
“Praktikisht, çdo ekspet ligjor është shprehur se çështja nuk ka baza. Nuk është bërë asgjë në rrugë të paligjshme”, shkruante zoti Trump.
Your browser doesn’t support HTML5
Avioni i zotit Trump mbërriti në Florida dhe autokolona e tij u drejtua për në rezidencën e tij Mar-a-Lago ku qindra mbështetës po e presin. Zoti Trump pritet të flasë pas mbërritjes në rezidencë.