Rusia arreston gazetarin amerikan me akuza për spiunazh

gazetari Evan Gershkovich

Agjencia kryesore e sigurisë në Rusi ka arrestuar një gazetar amerikan që punon për gazetën “The Wall Street Journal” me akuza për spiunazh. Kjo është hera e parë që nga periudha e Luftës së Ftohtë që një korrespondent amerikan arrestohet për spiunazh. Gazeta i mohoi akuzat ndaj gazetarit Evan Gershkovich.

Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) njoftoi të enjten se zoti Gershkovich u ndalua në qytetin Ekaterinburg, ndërsa po përpiqej sipas tyre të merrte informacione të klasifikuara.

FSB, pasardhësja e KGB-së sovjetike, aludoi se zoti Gershkovich “po vepronte sipas urdhrave të Shteteve të Bashkuara për të mbledhur informacione rreth aktiviteteve të një prej ndërmarrjeve të industrisë ushtarake ruse, që janë të klasifikuara si sekret shtetëror”.

Gazeta “The Wall Street Journal” deklaroi se i “mohon me forcë akuzat” dhe se kërkon lirimin e menjëhershëm të zotit Gershkovich. “Solidarizohemi me Evanin dhe familjen e tij”, u shpreh gazeta.

Organizata "Gazetarët Pa Kufij" tha se zoti Gershkovich ishte duke hulumtuar për një artikull në lidhje me Grupin e mercenarëve Wagner në kohën kur u arrestua.

Në janar, Shtetet e Bashkuara njoftuan sanksione ndaj Grupit Wagner, që ka mbështetur sulmin e Rusisë në Ukrainë.

Në fund të vitit 2022, Shtëpia e Bardhë tha se Grupi Wagner kishte dislokuar 50 mijë luftëtarë në Ukrainë, pjesa më e madhe e tyre të rekrutuar nga burgjet ruse.

Arrestimi vjen mes tensionesh të ashpra ndërmjet Perëndimit dhe Moskës për shkak të luftës në Ukrainë.

Zoti Gershkovich është gazetari i parë amerikan që arrestohet me akuza për spiunazh, që nga shtatori 1986, kur KGB-ja arrestoi gazetarin Nicholas Daniloff, korrespondent në Moskë për revistën “U.S. News and World Report”. Ai u lirua pa iu ngritur akuza 20 ditë më vonë, në shkëmbim të një punonjësi të misionit sovjetik në OKB, që ishte arrestuar nga FBI-ja.

Evan Gershkovich duke u nxjerrë nga një godinë e gjykatës në Moskë (30 mars 2023)

FSB-ja nuk njoftoi se kur kishte ndodhur arrestimi. Zoti Gershkovich, i cili mbulon Rusinë, Ukrainën dhe vendet e tjera ish-sovjetike si korrespondent në Moskë për “Wall Street Journal”, mund të përballet me deri 20 vite burgim, nëse dënohet për spiunazh.

FSB-ja përmendi se ai kishte akreditimin nga Ministria e Jashtme e Rusisë për të punuar si gazetar, por zëdhënësja Maria Zakharova tha se zoti Gershkovich po i përdorte kredencialet për “aktivitete që nuk kishin të bënin aspak me gazetarinë”. Edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov aludoi se zoti Gershkovich ishte "kapur në flagrancë".

Klubi Kombëtar i Shtypit, me seli në Uashington, bëri thirrje të enjten për lirimin e menjëhershëm të zotit Gershkovich në një deklaratë të përbashkët të presidentes së klubit, Eileen O'Reilly, dhe kryetarit të Institutit për Gazetarinë të Klubit Kombëtar të Shtypit, Gil Klein.

"Evan Gershkovich është gazetar. Ai duhet të lirohet menjëherë dhe i palënduar, si dhe t'i lejohet rikthimi në punën e tij të rëndësishme", thuhet në deklaratë. "E konsiderojmë këtë një arrestim të padrejtë dhe i bëjmë thirrje Departamentit të Shtetit që ta përcaktojë të tillë menjëherë ndalimin e tij".

Raportimi i tij i fundit nga Moska, i publikuar më herët këtë javë, përqëndrohej tek ngadalësimi i ekonomisë ruse, për shkak të sanksioneve të vendosura nga Perëndimi, që kur forcat ruse hynë në Ukrainë vitin e kaluar.

Arrestimi i zotit Gershkovich vjen pas një shkëmbimi në muajin dhjetor, kur ylli i basketbollit amerikan Brittney Griner u lirua pas 10 muajsh burgimi, në këmbim të trafikantit rus të armëve, Viktor Bout.

Qendra e paraburgimit Lefortovo, në Moskë, ku mendohet se po mbahet gazetari amerikan

Rusia ka filluar gjithashtu një çështje penale në janar ndaj një shtetasi amerikan, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, dhe që Rusia tha se dyshohet për spiunazh.

Një tjetër shtetas amerikan, Paul Whelan, drejtues i një kompanie nga Miçigani, mbahet i burgosur në Rusi që nga dhjetori 2018, i dënuar me 16 vite burgim për spiunazh, akuza për të cilat familja e tij dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara kanë thënë se janë të pabaza.

Rusia është bërë një vend gjithnjë e më i vështirë për gazetarët gjatë viteve të fundit, ndërsa autoritetet po përdorin ligjin për agjentët e huaj dhe rregulla të tjera për t'i ushtruar trysni mediave, thonë organizatat e të drejtave të njeriut.

Kur Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt 2022, ajo qarkulloi direktiva të reja dhe legjislacion në lidhje me mënyrën se si mediat mund të raportojnë për luftën apo se si mund t'i referohen asaj, të shoqëruara me masa të rënda ndëshkimore.

Korrespondentët e huaj kanë raportuar se janë ndjekur gjatë ushtrimit të detyrës në Rusi, në veçanti kur kanë raportuar nga zona jashtë qyteteve kryesore.

Krahas punës njëvjeçare për gazetën Wall Street Journal, zoti Gershkovich pati punuar më parë në Moskë për agjencinë franceze të lajmeve AFP, për gazetën The Moscow Times, si dhe si ndihmës në gazetën The New York Times. Sipas agjencisë AFP, familja e tij pati emigruar nga Rusia për në Shtetet e Bashkuara kur zoti Gershkovich ishte fëmijë.

Pas arrestimit të tij, Departamenti amerikan i Shtetit përsëriti paralajmërimin e fortë për rreziqet që u kanosen shtetasve amerikanë brenda territorit të Federatës Ruse.

* Për këtë artikull u përdorën materiale të marra nga agjencitë e lajmeve Associated Press, dhe AFP.