Senati miraton projektligjin për shfuqizimin e autorizimeve presidenciale për luftën në Irak

USA-BIDEN/CONGRESS

Senati e miratoi të mërkuren me 66 vota pro dhe 30 kundër shfuqizimin e ligjit të Kongresit që hapi dritën jeshile për ndërhyrjen ushtarake të vitit 2003 në Irak.

Nëse miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve, masa do t'i jepte fund më shumë se 20 viteve kur autorizimi për të përdorur forcat ushtarake në Irak është dhënë nga presidentët amerikanë dhe do t’ia rikthente këto kompetenca lufte Kongresit.

“Amerikanët duan që t’u jepet fund luftërave të pafundme në Lindjen e Mesme”, tha udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, duke shtuar se miratimi i projektligjit është “një hap i nevojshëm për të lënë mbrapa konfliktet”.

Lufta në Irak përfundoi vite më parë dhe shfuqizimi i autorizimit nuk pritet të ndikojë në dislokimet aktuale të trupave.

Projektligji dypartiak, nëse miratohet edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve, do të shfuqizonte edhe ligjin e vitit 1991, në bazë të të cilit, Shtetet e Bashkuara u angazhuan në Luftën e Gjirit Persik.

Ligjvënësit në të dyja partitë kanë shtuar thirrjet për rikthimin tek Kongresi të kompetencave për sulmet dhe dislokimet ushtarake të Shteteve të Bashkuara jashtë vendit.

Përpjekja dypartiake pason thirrjet e senatorëve amerikanë për t’ia rikthyer autoritetin Kongresit mbi çështjet e luftës dhe për të frenuar keqpërdorimin e forcës ushtarake.

Kompetencat që i jepen presidentit për luftë janë një nga ligjet më të rëndësishme të miratuara nga Kongresi amerikan.

Kongresi miratoi Autorizimin për Përdorimin e Forcave Ushtarake për Luftën e Gjirit të vitit 1991 dhe ndërhyrjen ushtarake të vitit 2003 në Irak. Dekada më vonë, disa nga këto kompetenca mund të marrin fund.

“Amerikanët janë të lodhur nga luftërat e pafundme në Lindjen e Mesme. Shumë amerikanë janë rritur pa i përjetuar vitet e para të Luftës në Irak. Lënia në fuqi e këtyre autorizimeve për luftë krijon mundësinë e abuzimit të tyre nga një administratë e ardhshme”, tha udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, gjatë debatit për ndryshimin e ligjit.

Autorizimet për përdorimin e forcave ushtarake u kanë dhënë presidentëve amerikanë kompetenca për të kryer operacione ushtarake pa miratimin e Kongresit. Ligjvënësit janë përpjekur prej vitesh t’i shfuqizojnë këto autorizime, duke argumentuar se ato janë të vjetruara.

“Asnjë armë e shkatërrimit në masë nuk u gjet në Irak. Shfuqizimi i këtij Autorizimi të Përdorimit të Forcave Ushtarake nuk do të thotë se Shtetet e Bashkuara do të bëhen një vendi pacifist, por një vend kushtetues”, thotë senatori demokrat Dick Durbin.

Por disa senatorë republikanë argumentojnë se shfuqizimi i autorizimeve të përdorimit të forcave ushtarake kufizon mundësitë e presidentëve për t'iu përgjigjur me shpejtësi kërcënimeve të vazhdueshme.

“Kemi amerikanë që po shërbejnë në Irak dhe ne duhet të sigurohemi që të mund të përdorim forcën e nevojshme ushtarake për t'i mbrojtur ata nga grupet shiite, të kontrolluara nga Irani, që veprojnë në Irak”, thotë senatori republikan Lindsey Graham.

Bazuar në rolin si komandant i forcave të armatosura, që buron nga Kushtetuta, presidentët kanë ndërmarrë për një kohë të gjatë veprime ushtarake pa miratimin e Kongresit dhe shpesh me reagime të vogla nga Kongresi.

Propozimi për shfuqizimin e Autorizimit për Përdorimin e Forcave Ushtarake përfshin masa mbrojtëse shtesë kundër keqpërdorimit të pushtetit dhe për t’u siguruar që presidenti të mund të veprojë shpejt, nëse forcat amerikane kërcënohen jashtë vendit.

“Unë e di mirë kërcënimin që Irani paraqet për ne dhe për aleatët tanë në rajon. Nuk mund të jemi naivë për qëllimet e tyre. Dhe ne duhet të kemi vullnet politik për t'iu përgjigjur këtyre kërcënimeve, kur e gjykojmë të nevojshme. Por shfuqizimi i autorizimit nuk do të ketë ndikim në aftësinë tonë për të mbrojtur interesat e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit”, thotë Bob Menendez, Kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Senati ka votuar me shumicë dërrmuese për ta zgjatur Autorizimin e Përdorimit të Forcave Ushtarake në Afganistan të vitit 2001, si pjesë e luftës globale kundër terrorizmit.

Ndonëse këto masa kanë mbështetje dypartiake, ato kanë edhe kritikë.

“Të dyja palët kanë argumentuar në thelb se autorizimi i lidhur me sulmet e 11 shtatorit 2001 nuk ka fare kufij kohorë, apo gjeografikë. Shfuqizimi i autorizimit të luftës në Irak nuk do t’i japë fund asnjë lufte dhe nuk do të shpëtojë jetë”, thotë ligjvënësi republikan Rand Paul.

Propozimi për shfuqizimin e autorizimit tani do të duhet të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluara nga republikanët, e cila mund të zhvilloj një debat për këtë çështje në kuadër të diskutimeve mbi buxhetin vjetor të mbrojtjes më vonë këtë vit.