Kievi paralajmëron kundërofensivë në Bakhmut: Do të ndodhë shumë shpejt

Kievi po planifikon të nisë shumë shpejt një kundërofensivë në Bakhmut në kushtet kur siç tha të enjten komandanti i lartë i forcave tokësore të Ukrainës, përpjekja e Rusisë për të kapur qytetin ka ngecur.

Gjeneral kolonel Oleksandr Syrskyi shkruante në faqen e mediave sociale 'Telegram', se mercenarët rusë të grupit ‘Wagner”, shpesh të dënuar, të rekrutuar nga burgjet, në përpjekjen për të marrë kontrollin e Bakhmutit po humbasin fuqinë që kishin fillimisht. Pasi shqyrtoi dhe mundësinë e një tërheqjeje nga qyteti në lindje të vendit, ushtria e Ukrainës vendosi t’i mbajë trupat në Bakhmut, duke dërguar edhe përforcime.

"Shumë shpejt ne do të përfitojmë nga kjo mundësi, siç bëmë në të kaluarën pranë Kievit, Kharkivit, Balakliyatit dhe Kupianskut", tha ai, duke përmendur qytetet që Ukraina ka mbrojtur ose ia ka dalë t’i nxjerrë nga kontrolli rus.

Zoti Syrskyi ishte një nga komandantët ushtarakë kryesorë pas strategjisë së Ukrainës në javët e para të luftës, falë së cilës u zmbraps sulmi i Rusisë ndaj kryeqytetit të vendit, Kievit, apo që zmbrapsi forcat ruse deri në gjysmën e dytë të 2022.

Të mërkurën, ministria britanike e Mbrojtjes tha se forcat ukrainase kishin nisur një kundërsulm lokal në perëndim të Bakhmutit, i cili ka të ngjarë të lehtësojë trysninë ndaj korridoreve kryesore që përdoren për furnizimin e forcave të Kievit që ndodhen brenda qytetit.

Ministria e Mbrojtjes tha se ekziston ende mundësia që forcat ukrainase në Bakhmut të rrethohen, sikurse edhe një mundësi reale, që sulmi rus ndaj qytetit, të humbasë vrullin e limituar që kishte arritur të siguronte.

Në muajt e fundit asnjërë nga palët nuk ka qenë në gjendje të marrë kontrollin e një territori të ri, me peshë, në lindje të Ukrainës, ndërsa të dyja palët kanë pësuar një numër të madh viktimash.