Blinken: Plani kinez i paqes nuk i jep fund agresionit rus në Ukrainë

U.S. Secretary of State Blinken testifies testifies on President Biden's proposed budget request on Capitol Hill in Washington

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u tha ligjvënësve të mërkurën se mbështetja diplomatike dhe materiale e Kinës për Rusinë bie ndesh me interesin e Shteteve të Bashkuara për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. Dëshmia e Sekretarit Blinken në Kongres vjen përpara një telefonate të mundshme midis presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Your browser doesn’t support HTML5

Blinken: Plani kinez i paqes nuk i jep fund agresionit rus në Ukrainë

Rusia bombardoi ndërtesat e banimit në Ukrainë pas vizitës shtetërore të presidentit kinez Xi Jinping në Moskë.

Presidenti rus Vladimir Putin thotë se ai mbështet një propozim paqeje të ndërmjetësuar nga Kina, por Ukraina thotë se bisedimet diplomatike mund të zhvillohen vetëm nëse Rusia tërheq forcat e saj nga territori ukrainas.

Lexoni edhe këtë Blinken: Kina po ndjek me vëmendje reagimin e botës ndaj luftës në Ukrainë

Në Uashington, ligjvënësit amerikanë dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken thonë se janë skeptikë për motivet e Kinës.

"Unë mendoj se mbështetja e tyre diplomatike, politike dhe, në një farë mase, mbështetja materiale për Rusinë sigurisht që bie ndesh me interesin tonë për t'i dhënë fund kësaj lufte", tha zoti Blinken.

Por zyrtarët kinezë këmbëngulin në angazhimin e Pekinit për të nxitur bisedimet e paqes në Ukrainë.

“Kina nuk ka motive egoiste për çështjen e Ukrainës, nuk ka qëndruar duarkryq, nuk ka nxitur konfliktin dhe nuk ka shfrytëzuar mundësinë për të përfituar. Ajo që ka bërë Kina është nxitja e bisedimeve të paqes”, tha Wang Wenbin, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka shprehur interes për të biseduar me zotin Xi, me shpresën se udhëheqësi kinez do ta kuptojë më qartë perspektivën ukrainase.

Lexoni edhe këtë Si po përfiton Kina nga sanksionet ndaj Rusisë?

Por analistët paralajmërojnë për mosmarrëveshjet kryesore mbi konfliktin.

“Vështirësia qëndron në atë se ndërsa kinezët thonë se janë neutralë, të gjitha propozimet e tyre për një marrëveshje paqeje janë në fakt shumë pro-ruse. Me fjalë të tjera, ata po flasin për një lloj armëpushimi, situatë në të cilën Putini arrin të mbajë territoret që ai tashmë i ka pushtuar, dhe kjo thjesht është një mospërfillje e kërkesave të zotit Zelensky dhe ukrainasve”, thotë Dennis Wilder, profesor i studimeve aziatike në Universitetin Georgetown.

Sekretari i Shtetit Blinken përsëriti të mërkurën paralajmërimin e tij drejtuar Kinës që të mos i japë Rusisë armë vdekjeprurëse, duke përmendur pasoja të rënda ekonomike për Pekinin.