Sekretari amerikan i Shtetit Antony J. Blinken dhe shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, thanë të premten se është koha e duhur që Kosova dhe Serbia të hedhin hapa domethënës në interes të integrimeve perëndimore.
Këto komente u bënë gjatë një bisede telefonike në të cilën, sipas zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price, të dy zyrtarët e lartë diskutuan mbi mbështetjen e tyre të fortë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në prag të takimit të udhëheqësve në Ohër, të Maqedonisë së Veriut.
Bashkimi Evropian tha se zoti Borrell e informoi sekretarin Blinken për zhvillimet e fundit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, dhe pritjet nga takimi i Ohrit. Zoti Borrell, tha se e vlerëson mbështetjen e SHBA-së për përpjekjet ndërmjetësuese të Bashkimit Evropian.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të cilët muajin e kaluar i thanë po një plani të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, do të diskutojnë të shtunën rrugët dhe ritmin e zbatimit të tij për ta shndërruar atë në një marrëveshje të ndërmjetme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Zoti Borrel tha të premten se ka pranuar komente nga Kosova dhe Serbia lidhur me udhërrëfyesin e zbatimit të planit evropian.
“Ne do të flasim nesër dhe do të bëjmë një version të konsoliduar të aneksit, mbështetur në komentet e tyre. Dhe pastaj, shpresoj që Kosova dhe Serbia do të bien dakord me rezultatin përfundimtar të këtyre bisedimeve. Ky aneks për zbatimin do të jetë pjesë integrale e marrëveshjes, pasi ne do të saktësojmë se si do të zbatohen dispozitat e saj”, tha zoti Borrell.
Të premten në mbrëmje Këshilltari Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, zhvilloi biseda telefonike, me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë.
“Bisedova me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me bisedimet e 18 marsit lidhur me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Zbatimi (i planit evropian) do të ofrojë përfitime domethënëse për të dyja vendet dhe do të tregojë përkushtim për një të ardhme paqësore në rajon”, shkroi ai.
“Bisedë e mirë me presidentin Vuçiç. U pajtuam për rëndësinë e angazhimit konstruktiv rreth propozimit të konsoliduar të BE-së më 18 mars. Riafirmova mbështetjen e SHBA-së për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe përfitimet që normalizimi i raporteve do t’i sillte Serbisë dhe gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, shkroi zoti Chollet në Twitter.
Plani nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por kërkon që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës.
Ai përfshinë po ashtu kërkesën për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në bisedimet e deritashme të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është edhe çështja më e mprehtë e bisedimeve.
Diplomatët perëndimorë shfaqin shpresën për përparim në takimin e së shtunës, ndërsa analistët thonë se duhet optimizëm i matur.
Your browser doesn’t support HTML5
Publicisti Veton Surroi tha të premten në një debat në Këshillin e Atlantikut se kthesa ka ndodhur më 27 shkurt kur palët u pajtuan me planin evropian, ndërsa e cilësoi proces të vështirë ecjen përpara.
“Ndryshimet janë të mëdha. Mendoj se pas dhjetë vjetësh të bisedimeve kryesisht jo të frytshme të drejtuara nga Bashkimi Evropian, jemi në një periudhë kur fuqitë e mëdha brenda Bashkimit Evropian dhe jashtë tij i kanë vendosur çështjet në një perspektivë më serioze. Kjo mund të jetë inkurajuese, por a jemi të zgjidhja – nuk jam i sigurt”, tha zoti Surroi.
Ivan Vejvoda nga Instituti për Shkencat Humanitare tha se nëse ka optimizëm ai duhet të jetë i kujdesshëm.
“Nëse udhëheqësit e të dyja vendeve janë serioz për të ardhmen e tyre evropiane atëherë do të ketë një hap të rëndësishëm në këtë proces”, tha zoti Vojvoda duke nënvizuar se përfshirja e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian është më e madhe sesa mund të ishte menduar para agresionit rus në Ukrainë.
Ish ambasadori amerikan në Beograd, Cameron Manter tha se zhvillimet në botë kanë krijuar një qasje të re perëndimore ndaj çështjes.
“Kemi një mundësi të re kur ka një përqendrim për shkak të zhvillimeve në Ukrainë që ka mprehur mendjet në Uashington dhe Bruksel nga shqetësimi se rajoni mund të bëhet pjesë e një problemi më të madh global”, tha ai.
Maja Pishçeviç nga Këshilli Atlantik tha se situata në Serbi është e polarizuar rreth planit evropian.
“Ka një konkurrencë të hapur se kush është më patriot. Nëse presidenti Aleksandar Vuçiç është patriot meqë pranoi planin evropian, apo ata që do ta refuzonin atë me çdo çmim”, tha ajo duke nënvizuar se duhet ulur pritjet nga e shtuna, por përparim mund të ketë.
Nuk është e qartë nëse do të ketë ndonjë marrëveshje në bisedimet e së shtunës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në prag të takimit se “propozimi evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. Të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ, delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë”.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se nuk planifikon të nënshkruaj asgjë në takimin e së shtunës dhe se nuk do të heq dorë nga vijat e kuqe të Serbisë kundruall Kosovës, duke ju referuar qëndrimeve të tij kundër mundësisë së anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Plani evropian parasheh që palët të mos e pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, të cilat kushtëzohen pikërisht më normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.