Sllovakia vendos t'i dërgojë avionë luftarakë Ukrainës

Sllovakia miratoi të premten një plan për t'i dërguar Ukrainës avionë luftarakë MiG.

Sllovakia është vendi i dytë i NATO-s, pas Polonisë, që i përgjigjet pozitivisht kërkesave të përsëritura të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy për avionë në betejën e vendit të tij kundër agresionit rus.

Kryeministri sllovak Eduard Heger tha se vendi i tij është "në anën e duhur të historisë" me dërgimin e flotës prej 13 avionësh MiG-29 në Ukrainë.

Ndërkohë ushtria ruse dhe forcat private të Grupit Wagner kanë fituar kohët e fundit terren në perëndim të lumit Bakhmutka në qytetin Bakhmut, sipas informacioneve nga Ministria britanike e Mbrojtjes.

Forcat ukrainase vazhdojnë të mbrojnë pjesën perëndimore të qytetit, sipas këtyre informacioneve.

Po sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes, intensiteti i luftimeve nga ana e forcave ruse është ndër më të ulëtit që nga janari.

"Arsyeja ka shumë të ngjarë të jetë dobësimi i fuqisë së tyre luftarake deri në atë masë sa edhe veprimet sulmuese lokale nuk janë aktualisht të qëndrueshme," thotë Ministria.

Forcat ruse pritet ta rrisin "kapacitetin e tyre sulmues" sapo të plotësohen rezervat e personelit dhe municioneve, sipas të dhënave britanike.