Yellen: Sistemi bankar në SHBA "mbetet i sigurt"

Një javë pas falimentimit të dytë më të madh në sistemin bankar amerikan, Sekretarja e Thesarit Janet Yellen i tha Komisionit të Senatit për Financat se sistemi bankar i vendit "mbetet i fortë" dhe amerikanët "mund të jenë të sigurt" për depozitat e tyre.

Zonja Yellen është zyrtarja e parë e administratës së presidentit Biden që përballet me ligjvënësit lidhur me vendimin për të mbrojtur paratë e pasiguruara në dy banka rajonale të falimentuara, një lëvizje që disa vëzhgues e kanë kritikuar.

Lexoni edhe këtë Sondazhi: Amerikanët kundër shpëtimit të bankave me paratë e taksapaguesve


"Qeveria ndërmori veprime vendimtare dhe të fuqishme për të forcuar besimin e publikut" në sistemin bankar të SHBA-së, tha zonja Yellen në dëshminë e saj.

"Unë mund t'i siguroj anëtarët e Komisionit se sistemi ynë bankar mbetet i shëndoshë dhe se amerikanët mund të ndihen të sigurt se depozitat e tyre do të jenë aty kur ata të kenë nevojë për to", tha ajo.

Banka Silicon Valley me qendër në Santa Clara, Kaliforni, falimentoi pasi depozituesit nxituan të tërhiqnin paratë mes shqetësimeve për problemet e bankës. Dy ditë më pas, u mbyll edhe Banka “Signature” e Nju Jorkut.

Departamenti i Drejtësisë dhe Komisioni i Letrave me Vlerë kanë nisur hetimet për falimentimin e Bankës Silicon Valley.

Seanca e së enjtes ishte planifikuar për të diskutuar projekt-buxhetin e Presidentit Joe Biden, por me falimentimin e papritur të bankës së 16-të më të madhe të vendit, zonja Yellen nuk mund t’u shmangej pyetjeve mbi procesin e vendimmarrjes së qeverisë për të ndihmuar bankën.