KAS: KQZ të regjistrojë PD-në e kryesuar nga Alibeaj

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve

Në Tiranë, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vendosi sot që Partia Demokratike, e përfaqësuar nga drejtuesi i deleguar i saj, Enkelejd Alibeaj, të regjistrohet në zgjedhjet vendore.

Your browser doesn’t support HTML5

KAS: KQZ të regjistrojë PD-në e kryesuar nga Alibeaj

KAS, nga ana tjetër, rrëzoi kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha për t’u regjistruar në zgjedhjet vendore me një subjekt të tij si drejtues partie.

Sipas KAS, zoti Alibeaj është kryetar i komanduar i partisë dhe përfaqëson PD-në në zgjedhje, pasi të nënshkruajë dokumentat e kërkuara nga ligji, si deklarata solemne dhe procedura të tjera.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi nuk e regjistroi për zgjedhjet vendore Partinë Demokratike, kryetar i të cilës rezulton ende në regjistrat e gjykatës, Lulzim Basha.

Sipas tij, dokumentet e përfaqësimit duheshin nënshkruar prej zotit Basha, dhe jo prej personit, që ai i kish deleguar kompetencat.

Vendimi i komisionerit Celibashi u ankimua në KAS, dhe ky i fundit I dha të drejtë zotit Alibeaj.

“Ky ishte një vendim i drejtë i bazuar në ligj. Ne kemi besim tek ligji dhe u provua se zoti Celibashi mori një vendim të padrejtë, duke humbur 10 ditë kohë dhe duke djegur afatet e nevojshme për koalicione të mundshme”, tha Indrit Sefa, përfaqësues i Partisë Demokratike.

Nga ana tjetër, KAS rrëzoi kërkesën ish kryeministrit Sali Berisha për t’u regjistruar në zgjedhjet vendore si përfaqësues i një subjekti zgjedhor.

Të njëjtin vendim mori disa disa më parë edhe komisioneri i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili vlerësoi se kërkesa e zotit Berisha nuk bazohej në ligj dhe nuk kishte regjistrime certifikuese nga gjykata.

Por përfaqësuesi i tij ligjor, Ledio Nuraj, deklaroi se do të ankohej më tej në institucione të tjera, duke e quajtur absurd vendimin e sotëm të KAS-it.

“KAS mori pa të drejtë kompetenca gjyqësore dhe bëri atë që nuk ka arritur ende ta bëjë gjykata. KAS i dha zotit Alibeaj atë status, që as ai vet nuk e kërkoi. Kjo absolutisht që do të ankimohet më lart në kolegjin zgjedhr”, tha zoti Nuraj.

Vendimi i sotëm i KAS-it u prit me entuziazëm të matur nga drejtuesit e Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi.

Drejtuesi i deleguar i PD-së, Alibeaj, fajësoi për vonesën dyjavore komisionerin Celibashi, përmes një komenti në Facebook, ku theksoi se vendimi i sotëm i KAS është konfirmim i detyrimit ligjor për të regjistruar PD në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Zoti Alibeaj ftoi përsëri të gjithë kandidatët demokratë, që të bashkohen dhe të paraqiten me një kandidat të PD në zgjedhjet vendore, duke lënë mënjanë mëritë në përballjen me regjimin e Edi Ramës, siç u shpreh ai.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, shprehu mosbesimin nëse komisioneri Celibashi do të garantojë administrimin e paanshëm të zgjedhjeve, dhe theksoi se “zvarritja 10 ditore në shkelje të ligjit ka cënuar rëndë zgjedhjet”.

Grupimet brenda Partisë Demokratike vazhdojnë megjithatë përplasjet në gjykatë mbi të drejtat e përfaqësimit të partisë, ndërsa Apeli ktheu për rigjykim në shkallë të parë një vendim të mëparshëm, që i jepte të drejtë ish kryeministrit Berisha.