Administrata e Presidentit Joe Biden do t'i japë Moldavisë 300 milionë dollarë ndihmë energjetike dhe do të ndajë informacione me ish-republikën sovjetike ndërsa Rusia kërkon ta destabilizojë atë, tha Shtëpia e Bardhë të premten.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare John Kirby u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara nuk shohin asnjë kërcënim të menjëhershëm ushtarak ndaj Moldavisë, megjithatë administrata amerikane beson se Rusia po kërkon ta dobësojë vendin e vogël evropian, të provokojë një kryengritje dhe të vendosë një qeveri më pro-Moskës.
"Ndërsa Moldavia vazhdon të integrohet me Evropën, ne besojmë se Rusia po ndjek opsione për të dobësuar qeverinë moldave ndoshta me objektivin përfundimtar për të pasur një administratë më miqësore me Rusinë," tha zoti Kirby.
"Më konkretisht, aktorë rusë, disa me lidhje aktuale me zbulimin rus, po kërkojnë të organizojnë dhe të përdorin protestat në Moldavi si bazë për të nxitur kryengritje kundër qeverisë moldave," shtoi ai.
Aktorë të tjerë rusë, tha zoti Kirby, do të bëjnë përpjekje për të ofruar trajnime dhe për të ndihmuar në organizimin e demonstratave në Moldavi.
Muajin e kaluar, Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu tha se Moska ka planifikuar një komplot për të përdorur elementë të jashtëm për të përmbysur qeverinë e vendit të saj. Zonja Sandu tha se synimi ishte që të vihej Moldavia "në dispozicion të Rusisë" dhe bllokuar aspiratat e saj për të hyrë në Bashkimin Evropian.