Hamburg, 7 të vrarë në një qendër të Dëshmitarëve të Jehovait, vetëvritet autori i sulmit

Qyteti i dytë më i madh i Gjermanisë, Hamburgu, vazhdon të jetë i tronditur nga ngjarja e një nate më parë, kur një person hapi zjarr në një qendër të Dëshmitarëve të Jehovait, duke vrarë 7 vetë, përpara se të vetëvritej. Autoritetet thanë se 35-vjeçari, shtetas gjerman dhe ish-dëshmitar i Jehovait, kishte përdorur një armë gjysmë-automatike, të cilën e posedonte me leje që nga dhjetori i viti të kaluar. Motivet e sulmit mbeten ende të paqarta, por zyrtarët thanë se kishin përjashtuar motivet politike.

Your browser doesn’t support HTML5

Hamburg, 7 të vrarë në një qendër të Dëshmitarëve të Jehovait

Banorët e Hamburgut kujtuan të premten të tronditur atë çka ndodhi një natë më parë, kur një person i armatosur, i indentifikuar si Philipp F. , 35 vjeç, vrau 7 vetë e plagosi 8 të tjerë, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë.

"Fillimisht mendova, kush po punon me trapan në këtë orë?! Kjo ishte ajo çka me erdhi ndër mend, pasi nuk është e zakonshme të dëgjojmë të shtëna armësh ndaj dhe është e vështirë t’i dallosh. Por pastaj dëgjuam sirenat tek binin", rrëfen Kerstin Spiekermann, e cila jeton pranë vendit ku ndodhi ngjarja.

Mes viktimave ishte edhe një foshnje, ende në barkun e nënës. Policia e Hamburgut tha se nëna arriti të mbijetojë.

Është e tmerrshme, ata njerëz vdiqën 50 metra larg nga shtëpia jonë. Nuk e besoj dot ende”, thotë Dorte Miebach, nëna e një dëshmitari okular, i cili filmoi ngjarjen me telefonin e tij.

Sulmi ndodhi në një qendër të Dëshmitarëve të Jehovait në Hamburg. Në momentin e sulmit në sallë ndodheshin rreth 50 persona. Autoritetet thanë se po hetohet ende mbi motivet e mundshme të ngjarjes, por shtuan se kanë përjashtuar motivet politike.

Kancelari Olaf Scholz, i cili ka shërbyer më parë në detyrën e kryetarit të bashkisë së Hamburgut, e cilësoi ngjarjen si një akt brutal dhune.

Sipas njoftimeve, policia arriti në vendngjarje, ndërsa sulmi ishte ende në vazhdim. Me mbërritjen e tyre u dëgjua vetëm një e shtënë, por zytarët thanë se punonjësit e sigurisë nuk qëlluan asnjëherë.

Kreu i Sindikatës së Policëve të Hamburgut Horst Niens, tha se ishte i bindur se mbërritja e shpejtë e një njësie të operacioneve speciale "parandaloi viktima të tjera". Ligjet e Gjermanisë për armët janë më kufizuese sesa ligjet amerikane, por me tolerante në krahasim me disa vende fqinje evropiane, ndaj dhe rastet e sulmeve me armë në këtë vend, nuk janë diçka e padëgjuar.

Vitin e kaluar qeveria gjermane njoftoi planet për të hequr armët nga duart e atyre personave të dyshuar si ekstremistë, si dhe për të kontrolluar më me rigorozitet të kaluarën e atyre që duan të blejnë armë zjarri. Aktualisht, kushdo që dëshiron të marrë një armë, duhet të tregojë se është i përshtatshëm për një gjë të tillë, duke ofruar edhe arsyet se përse e kërkon. Arsyet përfshijnë të qenit pjesë e një klubi sportiv qitjeje, apo për gjueti.