Lajcak në rajon për marrëveshjen Kosovë – Serbi

I dërguari i BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi pasditen e së enjtes filloi në Prishtinë vizitën në rajon, për të diskutuar rrugët e zbatimit të një plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje të përmbyllë problemet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më një marrëveshje të ndërmjetme, mes frikës se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë tensionet ndërmjet palëve për të nxitur destabilizim në Ballkanin që ende po ripërtërihet nga pasojat e luftërave të viteve të 90-ta.

Më 27 shkurt kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, i thanë po një plani të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, por por nuk pati nënshkrim dokumenti për shkak të mospajtimeve për zbatimin e tij, që do të kërkojë me shumë bisedime.

Lexoni edhe këtë Borrell: Serbia dhe Kosova pajtohen për propozimin evropian - por duhen më shumë bisedime për zbatimin

Më 18 mars ata pritet të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të diskutuar udhërrëfyesin e zbatimit të planit evropian, pa të cilin nuk mund të ketë marrëveshje.

Zoti Lajçak i cili sot e nesër do të qëndrojë në Prishtinë, ndërsa në fillim të javës që po vjen në Beograd, do të përqendrohet në sigurimin e një pajtimi rreth zbatimit të planit i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por kërkon që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës.

“Pritjet tona janë që do të vazhdojnë përgatitjet për takimin e datës 18 mars që do të mbahet në Maqedoninë e Veriut, në Ohër dhe të shohim se si do të mund të ia bashkangjesim propozimit të dakorduar evropian edhe një plan të mirëfilltë zbatues që duhet të karakterizohet nga gjithëpërfshirja dhe nga efikasiteti”, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në prag të vizitës së zotit Lajçak në Prishtinë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila priti zotin Lajçak, tha nëpërmjet një komunikate se “aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë, të dakorduar në Bruksel, duhet të jetë në frymën e parimeve të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, gjegjësisht, paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës”.

Kryeministri Kurti, që është kritikuar ashpër nga një pjesë e opozitës për qasjen ndaj planit, ka theksuar në disa raste se plani paraqet “një platformë solide për të ecur përpara dhe gjithçka që na mundëson ecjen përpara është pozitive”.

Lexoni edhe këtë Kosovë, opozita kritikon kryeministrin Kurti për pranimin e planit evropian

Ai tha se ishte i gatshëm ta nënshkruante planin evropian që më 27 shkurt, por kjo nuk ndodhi meqë pala serbe nuk ishte e gatshme për një gjë të tillë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili është kritikuar nga opozita serbe se me planin evropian do ta njohë Kosovën, tha se një nga pikat e planit nënkupton që Serbia do ta lejonte Kosovën të anëtarësohej në Kombet e Bashkuara.

Lexoni edhe këtë Nacionalistë serbë dhe grupe fetare protestojnë kundër marrëveshjes Kosovë-Serbi

“Prandaj nuk kam nënshkruar”, tha ai duke nënvizuar se në Bruksel është pajtuar për vazhdimin e bisedimeve. “Do të ketë më shumë bisedime”, tha ai duke ritheksuar se diplomatët perëndimorë u kanë bërë me dije të dyja palëve se refuzimi i propozimit evropian do të nënkuptonte sanksione.

Shtetet e Bashkuara thanë se marrëveshja mbi udhërrëfyesin e zbatimit të planit evropian është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, ndërsa përparimi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, thelbësor për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës.

Lexoni edhe këtë SHBA-ja vlerëson takimin Kurti – Vuçiç, kërkon zbatim marrëveshjesh

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price tha të mërkurën në mbrëmje se “përparimi do t’i hapë dyert drejt integrimit evropian për të dyja shtetet dhe është thelbësor për më shumë siguri, qëndrueshmëri dhe përparim në Ballkanin Perëndimor. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara në fund duhet të kenë në qendër njohjen e ndërsjellë”.

Plani evropian parasheh mes tjerash përmbushjen e marrëveshjeve të deritashme, përfshirë edhe atë për Asociacionin që është pjesa më e vështirë e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Beogradi i mbështetur nga Moska, kundërshton pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të BE-së.

Të dyja vendet aspirojnë integrimet evropiane, por më parë duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet ndërmjet tyre. Plani evropian thotë se palët nuk do të pengojnë njëra tjetrën në përpjekjet për integrim në bllok.