Rusia pretendon se ka vënë nën kontroll gjysmën e qytetit të Bakhmutit

Udhëheqësi i grupit mercenar rus Wagner tha të mërkurën se forcat e tij kanë vënë nën kontroll të plotë pjesën lindore të qytetit të Bakhmutit.

Nëse kjo do të rezultonte e vërtetë, atëherë forcat ruse do të kontrollonin thuajse gjysmën e qytetit, ndërsa përpiqen të arrijnë pas muajsh të tërë, një fitore në terren.

Megjithatë, forcat ukrainase vazhdojnë të rezistojnë. Javën e kaluar u duk se ata po përgatiteshin për një terheqje taktike nga Bakhmuti, por udhëheqësit ushtarakë dhe politikë vendosën t’i mbajnë pozicionet për t’u shkaktuar sa më shumë humbje forcave ruse.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës tha në një raport sot se “pavarësisht humbjeve të mëdha, armiku vazhdon të përparojë në qytetin e Bakhmutit”.

Kreu i grupit paraushtarak Wagner tha se luftëtarët e tij, kontrollojnë “gjithë pjesën në lindje të lumit Bakhmutka"’

Lumi ndan në dy pjesë qytetin e Bakhmutit që shtrihet në një pjesë të rajonit të Donetskut, pjesa më e madhe e të cilit është nën kontrollin rus. Qendra e qytetit është në pjesën perëndimore të lumit.

Më herët, ushtria ukrainase kishte thënë se në Bakhmut mund të krijoheshin kushtet për ofensivë nga Ukraina. Qëllimi kryesor i trupave tona në Bakhmut është të dobësojnë fuqinë lufarake të armikut, tha zëdhënësi i një prej komandave të ushtrisë ukrainase.