Ministri gjerman i mbrojtjes, Boris Pistorius tha sot se 18 tanke Leopard dhe tre të tjera nga Portugalia do të mbërrijnë këtë muaj në Ukrainë me personel të trajnuar. Ai i bëri komentet në takimin e ministrave të mbrojtjes të Bashkimit Evropian në Suedi, ku po diskutohet për vazhdimin e furnizimit të Ukrainës me armë.
Në takimin e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Suedi mori pjesë edhe Ministri ukrainas i mbrojtjes, Oleksii Reznikov, i cili bëri thirrje për më shumë armë.
“Përparësia jonë e parë janë sistemet e mbrojtjes ajrore dhe municionet, kemi nevojë për më shumë municione”, tha ai.
Gjermania njoftoi sot se këtë muaj do të dërgojë 18 tanke Leopard në Ukrainë.
“Sapo mësova se 18 tanke Leopard 2A6 dhe tre tanke Leopard nga Portugalia do të mbërrijnë në Ukrainë së bashku me personelin e trajnuar këtë muaj”, tha ministri gjerman i mbrojtjes Boris Pistorius.
Ndërkohë, ministri suedez i mbrojtjes, Pal Jonson u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian që të rrisin sasinë e prodhimit të municioneve.
“Ukrainasit kanë nevojë të madhe për municione për të vazhduar këtë luftë. Aspekti tjetër është se ne duhet të intensifikojmë prodhimin e tyre në Evropë”, tha ai.
Por, Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se së pari duhet të dërgohen municione nga rezervat e tanishme të vendeve anëtare para se të merret një vendim për rritjen e kapaciteteve të prodhimit të tyre.
“Së dyti, ne mund të kërkojmë më shumë municion. Ushtritë e vendeve të Bashkimit Evropian duhet të koordinojnë dërgimin e tyre në Ukrainë në aspektin afatmesëm. Në aspektin afatgjatë, por jo që nesër, Bashkimi Evropian duhet të rrisë kapacitetet e industrisë së mbrojtjes”, tha ai.
Ministri estonez i mbrojtjes, Hanno Pevkur bëri thirrje për rritjen e fondeve për ndihmat ushtarake për Ukrainën.
“Shpresoj se që sot do të kemi një konsensus apo marrëveshje politike për dërgimin e 1 milion predhave në Ukrainë sa më shpejt që të jetë e mundur. Për këtë arsye ne do të kemi nevojë për më shumë para”, tha ai.
Ministri ukrainas i mbrojtjes tha se vendi i tij ka nevojë për rreth 100 mijë predha në muaj “për të frenuar armikun dhe për të qenë të përgatitur për ndërmarrjen e kundërofensivave”.