Ministri kinez paralajmëron: Kina dhe SHBA në rrugën e konfliktit

Chinese Foreign Minister Qin Gang at a news conference in Beijing

PEKIN (AP) - Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang paralajmëroi të martën se Pekini dhe Uashingtoni po shkojnë drejt "konfliktit dhe konfrontimit" nëse SHBA nuk ndryshon kursin, duke folur me një ton më luftarak në një moment kur marrëdhëniet midis rivalëve janë historikisht në nivelin më të ulët.

Në konferencën e tij të parë për shtyp që nga marrja e detyrës në fund të vitit të kaluar, gjuha e ashpër e zotit Qin u duk se sfidonte parashikimet se Kina mund të braktiste diplomacinë e saj agresive në favor të një retorike më të moderuar ndërsa të dy vendet përballen me mosmarrëveshje mbi tregtinë, teknologjinë, Tajvanin, të drejtat e njeriut dhe agresionin e Rusisë në Ukrainë.

Politika e Uashingtonit ndaj Kinës "ka devijuar tërësisht nga rruga racionale dhe e shëndoshë", u tha zoti Qin gazetarëve në prapaskenat e takimit vjetor të legjislaturës së Kinës, ku udhëheqësit përcaktuan prioritetet e tyre ekonomike dhe politike për vitin e ardhshëm.

"Nëse Shtetet e Bashkuara nuk mbajnë frenat, por vazhdojnë të shpejtojnë në rrugën e gabuar, asnjë masë mbrojtëse nuk mund të parandalojë daljen nga shinat dhe me siguri do të ketë konflikt dhe konfrontim," tha zoti Qin.

Komentet e tij i bënë jehonë vërejtjeve të bëra nga udhëheqësi Xi Jinping në një fjalim të hënën para ligjvënësve.

“Vendet perëndimore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë zbatuar politikën e frenimit, bllokimit dhe shtypjes së gjithanshme të Kinës, duke sjellë sfida të rënda e të pashembullta për zhvillimin e kombit tonë”, citohet të ketë thënë zoti Xi nga agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua.

Përballë kësaj, Kina duhet “të qëndrojë e qetë, të ruajë fokusin, të përpiqet për përparim duke ruajtur stabilitetin, të ndërmarrë veprime aktive, të bashkohet dhe të guxojë të luftojë”, tha ai.

Zyrtarët amerikanë janë bërë gjithnjë e më shumë të shqetësuar për qëllimet e gjera politike dhe ekonomike të Kinës dhe mundësinë e luftës mbi Tajvanin – dhe shumë zyrtarë në Uashington kanë bërë thirrje që SHBA të bëjë një përpjekje më të madhe për të kundërshtuar ndikimin kinez jashtë vendit.

Javët e fundit, shqetësimet për veprimtari spiunazhi nga Kina në SHBA dhe përpjekjet për ndikim të Pekinit, kanë shkaktuar shqetësim të veçantë dhe zyrtarët nga të dy vendet kanë shkëmbyer shpesh akuza.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken anuloi një vizitë të planifikuar në Pekin pasi Uashingtoni rrëzoi një balonë të dyshuar spiune kineze që fluturoi mbi territorin amerikan. Baloni masiv dhe ngarkesa e tij, duke përfshirë pajisjet elektronike, janë nxjerrë nga fundi i oqeanit dhe po analizohen nga FBI-ja.

Javën e kaluar, Kina u përgjigj me indinjatë, kur zyrtarët amerikanë ngritën përsëri dyshime se origjina e koronavirusit, që shkaktoi pandeminë COVID-19, mund të kishte qënë nga një laborator në Kinë. Ministria e Jashtme akuzoi SHBA-në për “politizimin e çështjes” në një përpjekje për të diskredituar Kinën.

Dhe të dy vendet kanë shkëmbyer akuza mbi Tajvanin, në nnë kohë që Kina kaforcuar izolimin diplomatik dhe kërcënuar ushtarakisht ishullin e vetëqeverisur në mënyrë demokratike, që Kina e pretendon si territor të sajin.

Zoti Qin, i cili ka shërbyer për pak kohë si ambasador i Kinës në SHBA, kritikoi Uashingtonin për rrëzimin e balonës, duke përsëritur pretendimet se shfaqja e saj në qiellin e SHBA ishte një aksident.

“Në këtë rast, perceptimi dhe pikëpamjet e Shteteve të Bashkuara për Kinën janë shtrembëruar seriozisht. SHBA e konsideron Kinën si rivalin e saj kryesor dhe sfidën më të rëndësishme gjeopolitike”, tha zoti Qin, duke shtuar se, “politika amerikane ndaj Kinës ka devijuar tërësisht nga rruga racionale dhe e shëndoshë".

Zoti Qin e quajti çështjen e Tajvanit si vija e parë e kuqe që nuk duhet kaluar. Kina dhe Tajvani u ndanë pas luftës civile në vitin 1949. Ndërsa SHBA-të nuk mbështesin as bashkimin dhe as pavarësinë e Tajvanit, Uashingtoni është i detyruar nga ligji federal t’i ofrojë ishullit mjetet për t’u vetë-mbrojtur nëse sulmohet.

"Shtetet e Bashkuara kanë përgjegjësi të plotë për çështjen e Tajvanit," tha Ministri i Jashtëm kinez dhe akuzoi SHBA për "mosrespektim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kinës", duke i ofruar ishullit mbështetje politike dhe duke e pajisur atë me armë mbrojtëse në përgjigje të kërcënimit të Pekinit për të përdorur forcën për ta sjellë ishullin nën kontrollin kinez.

“Pse SHBA i kërkon Kinës që të mos i japë armë Rusisë, ndërkohë që ajo vazhdon t’i shesë armë Tajvanit?” pyeti zoti Qin.

Në Taipei, Ministri i Mbrojtjes i Tajvanit tha se forcat e armatosura nuk po kërkonin konflikt me ushtrinë e Kinës, por as nuk do të tërhiqen në rast se avionët, ose anijet kineze hyjnë në detet, ose hapësirën ajrore bregdetare tajvaneze.

"Është detyrë e forcave të armatosura të vendit të përgatiten për një përgjigje të përshtatshme," u tha Chiu Kuo-cheng ligjvënësve.

Pekini ka akuzuar gjithashtu Perëndimin për "fryrjen e flakëve" duke i ofruar Ukrainës armatime në luftën kundër agresionit rus. Kina thotë se ka një qëndrim neutral për këtë luftë, por ka thënë gjithashtu se ka një "miqësi pa kushte" me Rusinë dhe ka refuzuar të kritikojë sulmin e Moskës - apo t'i referohet aagresionit si një pushtim.

Një thirrje kineze për një armëpushim në Ukrainë, që ka marrë lëvdata nga Rusia, por e shpërfillur nga Perëndimi, nuk ka bërë asgjë për të ulur tensionet, pasi zyrtarët amerikanë e kanë akuzuar vazhdimisht Kinën, se po konsideron mundësinë e furnizimit me armë të Moskëa për t’i përdorur në luftë.

“Përpjekjet për bisedimet e paqes janë minuar vazhdimisht. Duket se ekziston një dorë e padukshme, e interesuar për zvarritjen dhe përshkallëzimin e konfliktit, për ta përdorur krizën e Ukrainës që t'i shërbejë një axhende të caktuar gjeopolitike", tha zoti Qin.

Konferenca për shtyp e zotit Qin erdhi dy ditë pas hapjes së takimit vjetor të Kongresit Popullor Kombëtar, një organ kryesisht ceremonial i mbledhur për të miratuar raportet e qeverisë dhe, këtë vit, një listë të re të emërimeve të nivelit të lartë. Kjo pritet të përfshijë një mandat të tretë pesëvjeçar për Presidentin Xi Jinping, i cili i ka hequr të gjithë pengesat për kufizimin e mandatit për ta lejuar atë të sundojë pafundësisht.