Makete armësh reale për të mashtruar armikun në fushën e betejës

Tank plastik i fryrë me ajër që imiton mjetin luftarak

Lufta në Ukrainë ka shkaktuar rritjen e kërkesës për armatime dhe me sa duket edhe për armatime që përdoren si kurth për forcat armike, si tanke plastike që fryhen me ajër. Një kompani çeke po prodhon mbi 30 lloje pajisjesh plastike që imitojnë tanket, autoblindat, mjetet ajrore dhe armatime të tjera.

Your browser doesn’t support HTML5

Armë falso për të mashtruar armikun në fushën e betejës

Firma çeke “Inflatech” prodhon imitime të ndryshme plastike të armëve, që nga mjetet e blinduara e deri tek avionët luftarakë. Këto çanta plastike fryhen me ajër dhe marrin formën e një autoblinde, që mund të vendoset në terren për të mashtruar forcat armike.

Firma çeke po ashtu ofron variante plastike të sistemit të raketave HIMARS, të prodhuara në Shtetet e Bashkuara, që po përdor Ukraina kundër agresionit të Rusisë.

“Sipas të dhënave tona jemi firma kryesore e prodhimit në mbarë botën.

Shefi Ekzekutiv i firmës “Inflatech” Vojtech Fresser nuk thotë nëse prodhimet e kompanisë së tij përdoren nga forcat ukrainase që po luftojnë prej një viti kundër agresionit të Rusisë. Megjithatë, ai tha se vitin e kaluar biznesi ishte rritur më shumë se 30%.

“Edhe pse preferoj të prodhojmë lodra për fëmijët, fillimisht duhet të krijojmë një botë të sigurtë për ta dhe pastaj shpresoj të kthehemi tek prodhimi i produkteve për popullsinë civile”, thotë zoti Vojtech.

Ai pret që rritja e biznesit të dyfishohet gjatë pesë viteve të ardhshme. Çdo muaj firma prodhon rreth 50 armë plastike që fryhen me ajër dhe u ngjasojnë armëve të vërteta kur vihen në terren. Shitjet për vendet e huaja duhet të marrin miratimin e qeverisë së vendit anëtar të NATO-s.

Kompania përdor materiale të lehta, si mëndafshi artificial, në mënyrë që një tank plastik të mos peshojë më shumë se 100 kilogramë, duke lehtësuar dislokimin e tankut falso në fushën e betejsë si karrem për armikun.

Armët plastike pajisen me mjete elektronike që manipulojnë kamerat vrojtuese dhe sensorët e armikut për të dhënë idenë se janë armë reale.

10 minuta janë të mjaftueshme që katër ushtarë të shpalosin, fryjnë dhe dislokojnë një lodër plastike që i ngjason një arme të tejet të kushtueshme ushtarake.

Synimi është që armiku të bjerë pre e karremit dhe të përdorë raketa të kushtueshme për të asgjesuar këto objektiva gjoja të “rëndësishëm” ushtarakë në fushën e betejës.

Këto mjete plastike, të prodhuara fillimisht për qëllime trajnimi, mund të kushtojnë deri në 100 mijë dollarë për copë.