Djokovic tërhiqet nga pjesëmarrja në turneun në Shtetet e Bashkuara

Novak Djokovic

Tenisti Novak Djokovic njoftoi zyrtarisht tërheqjen nga pjesëmarrja në turneun Indian Wells, thanë organizatorët të djelën vonë, duke sinjalizuar kështu se mund të jetë refuzuar aplikimi i tenistit më të mirë të botës për të hyrë në Shtetet e Bashkuara pa qenë i vaksinuar ndaj COVID-19. Shtetet e Bashkuara aktualisht ndalojnë hyrjen në vend të shtetasve të huaj të pavaksinuar.

Lojtari serb, që ka qenë ndër atletët më të rëndësishëm që refuzon të vaksinohet kundër Covid-it, kishte aplikuar për vizë muajin e kaluar, duke kërkuar që t’i jepej një leje e posaçme për të marrë pjesë në turnetë në Indian Wells dhe në Majami.

Your browser doesn’t support HTML5

Djokovic tërhiqet nga pjesëmarrja në turneun në Shtetet e Bashkuara

“Numri 1 i botës, Novak Djokovic, është tërhequr nga turneu BNP Paribas Open 2023. Me tërheqjen e tij, vendin në turne e zë Nikoloz Basilashvili”, njoftuan organizatorët të dielën nëpërmjet një deklarate.

Shtetet e Bashkuara aktualisht ndalojnë hyrjen në vend të të huajve të pavaksinuar, një politikë kjo që pritet të hiqet, kur të përfundojë gjendja e emergjencës për COVID-19 më 11 maj.

Zoti Djokovic nuk ka marrë pjesë që nga viti 2019 në lojërat në Indian Wells dhe Majami, që njihen si dy turnetë më të mëdhenj në kalendarin e lojërave ATP Masters.

Nuk pati komente të menjëhershme nga përfaqësues të ekipit të tij.

Të premten e kaluar, Senatorët e Floridas, Rick Scott dhe Marco Rubio, i dërguan një letër Presidentin Joe Biden, ku kërkonin që tenistit t’i jepej një leje e posaçme.

Ndër njerëzit që shpresonin se mbajtësi i titullit kampion të 22 turneve të tenisit do të lejohej të hynte në Shtetet e Bashkuara, ishte edhe drejtori i turneut Indian Wells, Tommy Haas.

Nëse do të kishte marrë pjesë, ai do të ishte favoriti kryesor për të fituar titullin e tij të gjashtë të turneut Indian Wells, që fillon të mërkurën në shkretëtirën e Kalifornisë Jugore.

Zoti Djokovic nuk mori dot pjesë në turneun e Australisë vitin e kaluar për shkak të mos-vaksinimit, po ashtu ai nuk u lejua vitin e kaluar të hynte në Shtetet e Bashkuara për pjesëmarrjen në turneun U.S. Open. Ai ka thënë se preferon më mirë të humbasë pjesëmarrjen në turnetë e njohura, se sa të vaksinohet ndaj COVID-it.

Në janar ai vendosi një rekord të ri, pas fitores në turneun e Australisë, duke mbajtur titullin fitues 22 herë, për turnetë më të njohur të tenisit në botë.